TIRANE- Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Përparim Spahiu, thotë se drafti për Statusin e Minatorit, i cili është dorëzuar në Kuvend, është i dakordësuar mes sindikatave. Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, Spahiu i fton të gjitha palët që të bëhen bashkë në komision për ta diskutuar nen për nen.

Ai thotë se “Statusin e Minatorit e kalon Parlamenti, po pritëm Qeverinë harrojeni, jo ky Janar por as dhjetë të tjerë s’do ta zgjidhin si problem”.

“Mos turrbulloni ujërat kot….

E kam thënë që në momentin e parë që drafti për Statusin e Minatorit është ai i dakortësuar mes sindikatave. Un thjesht e nxora nga sirtarët.

Jemi të gjithë parimisht dakort.

Ejani bëhemi bashkë në komision, e diskutojmë nen për nen dhe e mbyllim këtë histori.

Statusin e Minatorit e kalon Parlamenti, po pritëm Qeverinë harrojeni, jo ky Janar por as dhjetë të tjerë sdo ta zgjidhin si problem”, shkruan deputeti Spahiu.

Mbrëmjen e sotme në emisionin “Njerëz në fokus” në “News24”, u trajtua çështja e Statusit të Minatorëve, ku përfaqësues të sindikatave dhe disa minatorë ngritën shqetësimin e tyre.

Projektligji i plotë për Statusin e Minatorëve

PROJEKTLIGJ
NR. ____, DATE _______2017
PËR STATUSIN E MINATORIT
(PUNONJËSVE TË MINIERAVE NË NËNTOKË )

Në mbështetje te neneve 78 dhe 83, pika 1. të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave /një grupi deputetësh

KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPERISË
Vendosi
Neni 1
Qëllimi
Ky projektligj përcakton, pozitën juridike, ekonomiko-financiare dhe shoqërore, kërkesat e përgjithshme të pranimit, të drejtat, detyrimet dhe kufizimet e punonjësve të Industrisë së Minierave në Republikën e Shqipërisë, për arsye të karakterit të veçantë të punës dhe ndikimit në shëndet të kësaj pune, si dhe garancitë ligjore për zbatimin e tyre.

Neni 2
Përkufizime
Në kuptim të këtij ligji termat e mëposhtëm kanë këtë kuptim:
“Minator” – është shtetasi që punon në Industrinë e Minierave në nëntokë në vende pune të përcaktuara ne VKM Nr. 526, date 20.12.1958 “Për ndarjen e punëve ne kategori për efekt pensioni” dhe/oseVKM 207, datë 9.5.2002 për përcaktimin e punëve të vështira ose të rrezikshme

“Ish-minator” – është shtetasi që ka punuar në Industrinë e Minierave në nëntokë në vende pune të përcaktuara ne VKM Nr. 526, date 20.12.1958 “Për ndarjen e punëve ne kategori për efekt pensioni” dhe/ose VKM 207, datë 9.5.2002 për përcaktimin e punëve të vështira ose të rrezikshme.

Neni 3
Përfituesit
1.- Statusin sipas këtij ligji e përfitojnë të gjithë shtetasit që kanë punuar dhe punojnë në Industrinë e Minierave sipas përcaktimeve të nenit 2.

Këtë status e përfitojnë edhe ata persona që janë të aksidentuar në punë, pavarësisht kohës së punës në këtë industri.

2.- Personat qe përfitojnë statusin sipas përcaktimeve të këtij ligji, pajisen me dëshmi zyrtare identifikuese të përcaktuar nga Komisioni i ngritur për këtë qëllim. Ky komision ngrihet me Vendim të KM, me propozim të Ministrisë përgjegjëse për këtë industri dhe funksionon pranë kësaj ministrie. Në dhënien e dëshmisë shërbejnë dokumentet e përcaktuara në nenin 5.

Neni 4
Fitimi i statusit
Punonjësit që përmbushin kriteret sikurse përcaktohen në nenin 2 të këtij ligji, fiton të drejtën për marrjen e statusit që nga data e fillimit të punës në Industrinë e Minierave duke përfituar të drejtat e përcaktuara me këtë ligj.

Neni 5
Dokumentat për statusin
Qenia Minator ose ish minator vërtetohet me këto dokumenta:

1.- Për ish minatorët, libreza e punës e shoqëruar nga një vërtetim page sipas borderove ose një vërtetim i posaçëm zyrtar i lëshuar nga ndërmarrja ku ka qenë i punësuar, i konfirmuar nga ministria e linjës, ku përcaktohet kryerja e aktivitetit të punës sipas përcaktimeve të nenit 2 dhe sipas viteve të punës. Ky dokument do të përdoret edhe për ish minatorët që kanë dalë ose jo në pension, pension të parakohshëm, trajtim të veçantë sipas ligjit nr. 8685, datë 9.11.2000, pension sipas ligjit nr. 150/2014 ose që do përfitojnë pension sipas këtij ligji.

Për rastet kur ish minatori disponon librezë pune të rregullt me vula të kohës së RPSSH dhe të plotësuara në atë periudhë, por nuk mund të disponojë vërtetim të posaçëm siç më sipër në pikën 1, për shkaqe që nuk varen prej tij, por dëmtim/mungesë dokumentacioni në institucionet shtetërore, përmbajtja e librezës së punës është dokument i mjaftueshëm për vërtetimin e punës së tij si minator sipas llojit të përcaktuar në librezën e punës.

Të drejtën e përfitimit të statusit e kanë edhe të gjithë ata punonjës të nëntokës që të drejtat e tyre i kanë fituar me vendim gjykate.

2.- Për punonjësit që janë të punësuar në Industrinë Minerare, libreza e punës e shoqëruar me vërtetimin e posaçëm të lëshuar nga ndërmarrja dhe/ose institucioni ku është i punësuar dhe i konfirmuar nga ministria e linjës ku përcaktohet kryerja e aktivitetit të punës sipas përcaktimeve të nenit 2 dhe sipas viteve të punës.

3.- Për ish minatorët dhe minatorët në punë, do të konsiderohet punë në Industrinë e Minierave edhe periudha e punës në të njëjtin profesion në shtete të tjera,me të cilat Republika e Shqipërisë ka marrëveshje në fushën e mbrojtjes shoqërore.

Neni 6
Paga dhe shtesat mbi pagë
Paga e punonjësve të Industrisë së Minierave përcaktohet sipas kontratës kolektive të punës, por që në asnjë rast nuk mund të jetë më e ulët se 200 % e pagës minimale në shkallë vendi dhe që do të reflektojë të gjitha detyrimet e Kodit të Punës si edhe vështirësitë e veçanta që ka puna në këtë industri dhe ndikimin në shëndetin në punë sipas aktiviteteve të punës.

Neni 7
Vjetërsia nëpunë
Njihet si vjetërsi në punë për efekt shpërblimi financiar dhe përfitimi nga sigurimet shoqërore si punonjës i minierave, periudha e punës e kryer në profesionet sipas nenit 2 dhe të vërtetuara sipas dokumentacionit të përcaktuar në nenin 5 të këtij ligji.

Neni 8
Shpërblimi financiar pas ndërprerjes së punës
1.- Personat që gëzojnë statusin e minatorit sipas përcaktimit të nenit 2 dhe 4, që kanë vjetërsi pune të përgjithshme mbi 20 vjet, nga ku jo më pak se 6 vite nëntokë, që humbin vendin e punës të nëntokës pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, për shkaqe që nuk varen prej tyre, përveç përparësisë në ripunësim dhe të drejtës për shpërblim vjetërsie sipas dispozitave të kodit të punës neni 145, kanë të drejtën e përfitimit financiar sipas kushteve dhe procedurave të përcaktuara me Vendim të Këshillit te Ministrave, i cili në asnjë rast nuk mund të jetë më i vogël sesa paga minimale neto e minatorit, për një kohë deri në 5 vjet në rast se nuk sigurohet ripunësimi.

2.- Shpërblimi sipas pikës 1 përballohet nga punëdhënësi konform nenit 145 të kodit të punës dhe nga buxheti i shtetit, 3 vjet nga punëdhënësi dhe 2 vjet nga Buxheti i Shtetit.

3.-Familja në ngarkim të përfituesit të këtij statusi, kur ky aksidentohet me vdekje gjatë kohës së punës, përfiton pension familjar në masën 100% të pagës së tij referuese, pavarësisht nga periudha e sigurimit. Ky pension indeksohet njëlloj si pensionet e tjera.

Neni 9
Mosha e daljes në pension dhe kushtet e përfitimit
1.- Kanë të drejtë të kërkojnë pension pleqërie si punonjës të Industrisë

Neni 10
Masa e pensionit
1.- Pensioni do të llogaritet sipas përcaktimeve të neneve 32 dhe 59, të ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

2.- Për ata që kanë punuar në ntokë më shumë sesa 12 vjet e 6 muaj, për çdo vit mbi këtë kufi do kenë shtesë pensioni me 3 % të pensionit bazë.

3.- Për ata që kanë përfituar pension të plotë ose invaliditeti, për ata që kanë dalë të papunë nga mbyllja e minierave deri në vitin 2000 dhe që kanë përfituar direkt pension të parakohshëm ose që tani përfitojnë nga ky ligj, për ata që kanë përfituar trajtim të veçantë, është :

Varianti A : me 85 % të kësaj mase sipas pikës “1” dhe të llogaritur sipas kategorive të punës nëntokë aktualisht në momentin e llogaritjes pensionit.

Varianti B : ashtu siç e kanë të llogaritur aktualisht plus 60% shtesë mbi bazën e llogaritur.

4.- Në asnjë rast pensioni i punonjësit të nëntokës, i llogaritur sipas pikave “1”, “2” dhe “3” nuk mund të jetë më i vogël sesa 131% e rrogës minimale zyrtare.

Neni 11
E drejta për përfitim
1.- E drejta për të përfituar pensionin e pleqërisë, sipas këtij ligji, nuk parashkruhet.

2.- Personi, i cili kërkon të përfitojë pension, sipas përcaktimeve të këtij ligji, e përfiton atë:

a).- nga data e lindjes së të drejtës për përfitim, kur kërkesa paraqitet brenda një viti nga data e lindjes së kësaj të drejte;

b).- një vit nga data e paraqitjes së kërkesës, kur ajo paraqitet pas më tepër sesa një viti pas lindjes së të drejtës për përfitimin e pensionit.

4.- Përfitimet e caktuara, por të pa tërhequra paguhen në çdo kohë, por jo më shumë se për 3 vjet.

Përfitimet e caktuara, por të paguara më pak, jepen në çdo kohë, por jo më shume se për 3 vjet.

5.- E drejta e organit kompetent për të kërkuar shumat e marra tepër, gjate një viti, ushtrohet jo më vonë se 3 vjet nga marrja e tyre, por jo më vonë se 6 muaj nga data e konstatimit. Masa e ndalesës për çdo muaj është 20 për qind e këstit mujor të pensionit.

6.- Personi, i cili ka përfituar pension dhe kompensime në mënyrë e me mjete në kundërshtim me ligjin dhe që nuk njofton ndryshimin ose heqjen e masës së tyre, detyrohet ta kthejë të gjithë shumën e marrë tepër. Masa e ndalesës për çdo muaj është 50 për qind e këstit mujor të pensionit. Gjithashtu, personi dënohet me gjobë në masën katërfish të dëmit të shkaktuar, pavarësisht nga dënimi i parashikuar në dispozitën përkatëse të Kodit Penal.

Neni 12
Financimi
1.- Përfitimet nga ky ligj financohen nga kontributet shtesë, sipas paragrafit të dytë të këtij neni, dhe nga Buxheti i Shtetit.

2.- Personat, të cilët do të kryejnë procese në Industrinë Minerare nëntokë të përcaktuara në nenin 2, pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, do të paguajnë kontribute shtesë në masën 5% të pagës bruto, për efekt kontributi. Kontributi shtesë paguhet në masën 2% nga punëmarrësi dhe 3% nga punëdhënësi.

3.- Kontributi shtesë i sigurimeve shoqërore, në masën 5%, mblidhet dhe derdhet në fondin e sigurimeve shoqërore të detyrueshme, sipas procedurave për mbledhjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore të detyrueshme, të përcaktuara në ligjin nr. 9136, date 11.9.2003, “Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

4.- Diferenca ndërmjet efektit financiar të këtij ligji, deri në plotësimin e moshës së përfituesve, sipas nenit 31, të ligjit nr. 7703, date 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore ne Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me kontributin shtesë, do të përballohen nga Buxheti i Shtetit.

5.- Procedurat e financimit të fondit të sigurimeve shoqërore, sipas pikës 4 të këtej neni, rregullohen me vendim të Këshillit te Ministrave

Neni 13
Kërkesa për përfitim
1.- Përfitimi i pensionit sipas këtij ligji, jepet me kërkesën e të interesuarit, i cili e paraqet atë së bashku me dokumentacionin përkatës, sipas nenit 5 të këtij ligji dhe përcaktimeve në ligjin nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, pranë agjencisë së sigurimeve shoqërore të vendbanimit të tij.

Neni 14
Indeksimi
Përfitimet e caktuara sipas këtij ligji indeksohen sipas procedurave në fuqi të indeksimit që bëhen nëpërmjet vendimit të Këshillit të Ministrave, sa herë dhe në atë masë që rriten ose indeksohen pagat dhe pensionet e pleqërisë, nga sigurimi i detyrueshëm shoqëror.

Neni15
Llogaritja e pensionit
Llogaritja, caktimi, administrimi dhe pagimi i pensioneve që rrjedhin nga ky ligj bëhen nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, sipas procedurave në fuqi për pensionet, në përputhje me ligjin nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore ne Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

Neni 16
Trajtimi mjekësor dhe social
1.- Përfituesit e statusit të minatorit dy herë në vit duhet të bëjnë kontrolle mjekësore falas në institucionet shtetërore apo private në vend. Ministria e Shëndetësisë ndërton ose detyron kompanitë që operojnë në Industrinë e Minierave që të ndërtojnë qendra mjekësore të pajisura me aparatura dhe mjekë specialistë që trajtojnë problematikën shëndetësore të shkaktuar nga puna nëntokë.

2.- Ministria e shëndetsisë brenda 6 muajve nga shpallja e këtij ligji merr të gjitha masat e nevojshme për rivënien në funksion të pavionit të posaçëm për sëmundjet profesionale.

3.- Ne rast sëmundjesh që vërtetohet se vijnë direkt ose indirekt nga puna në nëntokë, përfituesit e statusit të Minatorit përfitojnë kurim falas në institucionet publike apo private që janë në marrëdhënie me FSDKSH. Nëse kurimi nuk ofrohet nga këto institucione, përfituesit e statusit kurohen ne institucione private brenda vendit, që ofrojnë këtë kurim dhe financohet nga buxheti i shtetit për ish minatorët dhe nga kompanitë punëdhënëse për personat që janë të punësuar.

4.- Në rastet e sëmundjeve që vërtetohet se vijnë direkt ose indirekt nga puna nëntokë, që nuk kurohen brenda vendit, përfituesit e statusit duhet të kurohen falas jashtë vendit. Financimi i kurimit jashtë vendit bëhet nga buxheti i shtetit për ish minatorët dhe 50% me 50% nga kompanitë punëdhënëse dhe shteti për personat që janë të punësuar.

5.- Për çdo lloj sëmundje ilaçet e përfituesve të këtij statusi janë 100% të rimbursueshme.

6.- Fëmijëve të përfituesve të këtij statusi, që janë aksidentuar më parë ose pas daljes së këtij ligji me vdekje në punë, kur ndjekin arësimin e lartë shteti u garanton bursë.

Neni 17
Përfitimet në privatizime dhe koncensione
1.- Përfituesit e statusit të minatorit sipas këtij ligji, janë përfitues në privatizimin e Industrisë minerare në raport me kohën e punës, shkallën e kualifikimit dhe kategorizimit të punës. Kriteret, masa dhe procedurat e përfitimit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

2.- Ne rastet e koncensioneve në industrinë minerare, në marrëveshjen e koncensionit duhet të përcaktohet detyrimi i koncensionarit për të krijuar fond profesional pensioni sipas ligjeve që administrojnë këto fonde me jo më pak se 10% të pagës bruto të punonjësve (ose 6% te pagës neto).

Neni 18
Detyrimet e pushtetit vendor
Pushteti vendor, bashkitë në zonat ku banojnë përfituesit e statusit të minatorit kujdesen për punësimin e tyre në rast papunësie, krijimin e lehtësive të banimit për përfituesit e statusit.

Neni 19
Aktet nënligjore
Ngarkohet Këshilli i Ministrave që brenda 3 muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji, të nxjerrë aktet nënligjore për zbatimin e këtij ligji.

Neni 20
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare
Kryetari i Kuvendit te Shqipërisë

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb