Stërnipi i Ismail Qemalit, Nedim Qemal Vlora ka qenë sot i ftuar në rubrikën “Opinion” në News24 ku ka rrëfyer gjithçka di për themeluesin e shtetit shqiptar.

Ai ka treguar se gjyshja e tij tregonte shumë për Ismail bej Vlorën duke pasur një memorie të fortë dhe se në shtëpinë e tyre është festuar gjithmonë 28 nëntori. Nedim Qemal Vlora tregoi se ndodhet në Shqipëri pasi është ftuar për një aktivitet nga grupi i masonëve në Tiranë.

Nipi I Ismail Qemalit
Nipi I Ismail Qemalit

“Gjaku i mirë nuk tradhton kurrë. Nëna ime jetoi deri në vitet ’60 dhe më ka treguar të gjitha episodet familjare. Kam shkruar një libër me 500-600 faqe për historinë e familjes që nga shekulli i X deri në ditët e sotme. Këtu sjell shumë nga raportet, kujtimet dhe gjithçka që ka treguar gjyshja”, tha stërnipi i Ismail Qemalit.
I pyetur se cilët ishin njerëzit që i kanë qëndruar më afër Ismail Qemalit dhe cilat ishin shqetësimet kryesore, Nedim Qemal Vlora tregoi se personi më i afërt ka qenë djali më i madh Mahmuti, gjyshi i tij.
“Ishte më i madhi, më ekspert. Kishte një eksperiencë në punën me sulltanin. Për aktivitetin e tij ka qenë i internuar për 8 vite. E ruaj ende lejen, që ishte falja e sulltanit për t’u kthyer nga internimi në Stamboll. U kthye i sëmurë për fat të keq dhe kërkoi ambiente më të përshtatshme për shëndetin. Fillimisht në Napoli dhe më pas në Nicë”, tregoi ai, raporton “BalkanWeb”.

Duke u ndalur tek zhvillimi sot në Shqipëri, stërnipi i Ismail Qemalit tha se vendi po ecën por se ka akoma shumë rrugë për të bërë sepse nuk gënjehet nga ndryshimet në Tiranë e Vlorë por duhen ndryshime në fshatin shqiptar.

“Duke qenë qytetar nderi i Vlorës, duhet domosdoshmërisht të mbroj Vlorën. Por duhet të them se Shqipëria më në fund është vënë në rrugën e duhur. Ka shumë për të bërë. Nuk impresionohem nga zhvillimet që ka Vlora apo Tirana, termometri i vërtetë i situatës është në fshatra, në fusha, në bujqësi, ja pse thashë se ka nisur të ecë por duhet të bëjë shumë rrugë.
E shoh problematike të ardhmen e të rinjve në Shqipëri. Duhet një program i thelluar, kapilar ekonomik”, tha Nedim Qemal Vlora.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb