“Po, klienti do të paguajë më shumë, por ne pikërisht këtë duam”. Në këtë rastin e fundit, Jobs jo vetëm bëri pohimin, por ishte ai që e ka cituar edhe në intervistat e gjata të dhënë për Isaacson në biografinë e autorizuar. Një konfirmim që Jobs, përveçse një gjeni, kishte edhe një ego të pafre: pa ndjenja faji dhe pa ndjeshmëri të rrezikut.
Nga Repubblica

Eshtë Luçiferi i Rrjetit, personazhi më i admiruar, lartësuar, nderuar në Sillicon Valley. Por edhe protagonist i një rënieje në ferr. Që nga vdekja e tij, revizionizmi historik mbi Steve Jobsin vazhdon i pandalshëm. Ka kontribuar ai vetë, duke autorizuar biografin zyrtar, Walter Isaacson që të gërmojë në anën e errët të personalitetit të tij: për shembull, njohja me vonesë e bijës së tij natyrore, pas një refuzimi të gjatë dhe të turpshëm. Në Broadway është vënë në skenë madje një vepër teatrale denoncuese, mbi skllavërimin e punëtorëve kinezë të Foxxcon-it, fabrika e tmerreve ku montohen iPhone dhe iPad e që Jobs refuzoi gjithmonë që ta vizitonte dhe nuk hyri kurrë në të.

Tani, vepra e shkatërrimit të figurës së tij vazhdon, në bankat e gjykatave. Atje ku kauzat kundër Apple vijojnë të vërtiten përreth figurës së themeluesit, tre vjet pas vdekjes së tij. “I pranishëm më shumë se kurrë në sallat e gjykatave, dhe jo në të mirë të Apple”, komenton New York Times. Një prej këtyre çështjeve, e humbur tashmë nga Apple, është ajo e procesit të marrëveshje oligopol, në dëm të punonjësve të Jobs. Ishte ai që përfshiu Padronët e tjerë të Rrjetit, duke filluar nga Eric Schmidt i Google, në një pakt “mos-sulmimi”: ti nuk më merr inxhinierët e mi dhe unë nuk të marr të tutë. Një mënyrë për të shmangur konkurrencën për talentet, e si pasojë për të mbajtur të ulëta pagat e tyre. Edhe në atë rast, Jobs zihej në kurth prej vetë Jobsit. Në mënyrë të veçantë një email i vitit 2006, në të cilin ai i shkruante Schmidtit: “Më thonë se departamenti yt i programeve për celularë po rekruton nga ata të mitë, që punojnë për iPodin. Nëse është e vërtetë, të kërkoj të ndalesh”. Prej aty, kërcënimet vijuan me propozime: lindi një pakt mungese konkurrence në tregun e punës që u shtri edhe tek gjigandët e tjerë të ekonomisë dixhitale. Kjo çështje do të rishfaqet sërish në gjykata në prill: marrëveshjet e arritura mes Apple dhe avoketërve të mijëra inxhinierëve janë konsideruar jo mjaftueshëm ndëshkuese nga gjykata e San Josesë në Kaliforni, e cila i ka anuluar.
Tani hapet një tjetër proces, në Oakland (në bregun lindor të Gjirit të San Franciskos). Këtë herë, në qendër të vëmendjes është iPodi, në versionet e tij të parë. Edhe ai, ashtu si shumë produkte të nxjerrë nga Jobs, ishte vërtetë gjenial. Ekzistonin tashmë pajisje për të shkarkuar dhe dëgjuar muzikë. Por iPod ishte një revolucion, mbi të gjitha estetik: ashtu si në fusha të tjera, Jobs pati nuhatjen që teknologjitë mund të shndërroheshin në objekte kulti. Risia tjetër vendimtare ishte pajisja e iPod me iTunes, dyqani gjigand dixhital për të blerë fillimisht muzikë, e më vonë edhe libra zanorë, libra dhe filma. Si dhe thjeshtësia e blerjes, me mikropagesa prej 99 cent për këngë. Por pikërisht këtu kishte një shpërdorim. Brezat e parë të iPod pengonin futjen në dyqane të tjerë dixhitalë. Apple të pengonte që të blije gjetkë. Ky i “sistemeve të mbyllur” ishte një fiksim i Jobsit për një kohë të gjatë. Në rastin konkret në kufijtë e shkeljes ligjore: pohimet e Steve janë vendimtarë në gjykatë edhe për marrëveshjet me botuesit amerikanë, në dëm të ligjeve antitrust. Edhe njëherë, është vetë Jobs që ka ofruar provat. Gjithmonë në formën e emaileve: që ua dërgonte bashkëpunëtorëve të tij, të cilëve u kërkonte me forcë që “të garantoni se kur Music Match (konkurrent i iTunes) të hapë dyqanin e vet online, të mos jetë i aksesueshëm nga iPodi”.
Ka një çështje të tretë, edhe ajo e përfunduar në gjykatë. Bëhet fjalë për marrëveshjen oligopolistike mes Apple dhe botuesve të mëdhenj amerikanë, të akuzuar se kanë manipuluar çmimet e librave duke dëmtuar konsumatorët. Sërish, provë e shkeljes është një frazë e Jobs. “Po, klienti do të paguajë më shumë, por ne pikërisht këtë duam”. Në këtë rastin e fundit, Jobs jo vetëm bëri pohimin, por ishte ai e ka cituar edhe në intervistat e gjata të dhënë për Isaacson në biografinë e autorizuar. Një konfirmim që Jobs, përveçse një gjeni, kishte edhe një ego të pafre: pa ndjenja faji dhe pa ndjeshmëri të rrezikut. Nuk ishte i vetëdijshëm që ligjet dhe rregullat, herët a vonë, do të mund të zbatoheshin edhe tek ai.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb