Nga: Artan FUGA

Një miting mund të shërbejë sigurisht për diçka në jetën politike.

Por, megjithatë mund të vihen menjëherë në dukje dy anë të rëndësishme që karakterizojnë vende të zhvilluara dhe popuj evropianë, të cilët shumë më përpara sesa ne kanë hyrë në rrugën e demokratizimit dhe të shtetit të së drejtës.

Së pari, gjithnjë e më pak është e mundur që komunikimi publik të kryhet nëpërmjet mitingjesh. Po të krahasohet me shekullin e kaluar, por edhe me pak vite më parë, qytetarët perëndimorë kanë pothuajse shumë më pak dëshirë të marrin pjesë në një miting politik. Aq e vërtetë është kjo saqë edhe gjatë fushatave elektorale në vende të ndryshme nuk ka pothuajse fare mitingje nëpër sheshe, të cilët, në rastin më të mirë, janë zëvendësuar me mbledhje masive përfundimtare në ndonjë sallë a stadium sporti. Edhe nëse ka mitingje të tillë, ato vështirë se përsëriten qytet më qytet.

Po kështu, ka edhe një element të dytë të dukshëm që shkon në këtë drejtim. Në shkencat e komunikimit tashmë ka zënë vend një prirje mbizotëruese që konsideron se komunikimi publik nëpër mitingje është difektoz dhe kjo për arsye të ndryshme.

Një miting mund të shërbejë për të treguar sesa mbështetës ka një lider politik apo një parti politike. Nga njëra anë edhe mund ta pranojnë këtë argument. Por, përsëri me shumë e shumë rezerva. Pra, në një farë mënyre, edhe po, edhe jo.

Përse jo? Sepse sot ka agjenci dhe metoda sondazhi të opinionit publik që e tregojnë këtë të dhënë shumë herë më mirë sesa fakti i pjesëmarrësve në një miting. Pa dyshim shumë herë më mirë, sepse gjithmonë ka pafund qytetarë që do të dëshironin që një lider politik a një parti politike të kishte mbështetje më të madhe, i mbështesin ata, por, kjo nuk do të thotë se të gjithë kanë vullnetin për të marrë pjesë në një miting. Disa nuk e honepsin turmën e mbledhur nëpër sheshe. Disa të tjerë nuk zhvendosen dot drejt sheshit ku bëhet mitingu sepse ndodhen larg prej tij, të tjerë janë të zënë me punë, kurse edhe një numër i madh parapëlqen një komunikim më të qetë, apo e di që të jesh në një miting nuk sjell ndonjë dobi.

Në rastin tonë është pa ndonjë rendiment të masësh se kush sjell më shumë mbështetës në sheshe për të matur pastaj shkallën e besueshmërisë të një lideri apo force politike.

Pak muaj përpara u bënë zgjedhjet dhe sado që rezultati i tyre mund të ketë shkallë të ndryshme përafrimi me vullnetin e përgjithshëm qytetar, përsëri aty janë numëruar pak a shumë shkallët e përfaqësimit politik nga pikëpamja e mbështetjes që kanë partitë politike në elektorat.

Nga kjo pikëpamje, një miting mat më shumë shkallën e mobilizimit të aparateve dhe elitave qendrore dhe lokale të partive të ndryshme politike sesa sasinë e mbështetjes qytetare. Këtu është fjala për partitë e mëdha që ndajnë elektoratin kryesor, sepse për sa iu përket atyre që kanë elektorat të kufizuar, vështirë se ato kanë mundësi për të bërë organizime njerëzish që i kalojnë vendet e ndonjë kinemaje rurale, apo të ndonjë salle mësuesish në ndonjë shkollë të vogël 9–vjeçare. Shpesh prandaj thuhet se një miting është më tepër matës shpesh i vetë funksionimit të partive, i ndikimit të mediave mbi publikun, sesa tregon shkallën e vërtetë të mobilizimit rreth një projekti politik të qytetarëve.

Aq më shumë që në këtë kuadër, kur fillon stina e mitingjeve, rrezikon që ajo të mos ketë të sosur. Mitingjet nisin e neutralizojnë njeri-tjetrin. Nga kjo pikëpamje edhe sjellin një humbje kolosale energjish politike dhe njerëzore, të cilat mund të kanalizoheshin në drejtime konstruktive. Partitë politike kanë më pak kohë për të përpunuar qëndrime të holla dhe të zgjuara politike, kurse administratat e fushave të ndryshme të veprimtarisë shtetërore edhe ato zhyten në preokupimet e mitingjeve gjithashtu.

Në fakt mitingjet janë me rrënjë të thella në histori, ndoshta që nga koha kur demokracia direkte kishte zënë rrënjë në Greqinë antike. Ishte si një farë komunikimi i menjëhershëm politik. Mirëpo sikurse shkruajnë edhe teoricienët e urbanizimit, tanimë kjo fazë ka kaluar dhe është vështirë të kthehet. Nuk ka më sheshe qytetesh që të mbajnë mes tyre të gjithë qytetarët e tij, aq më pak të të gjithë kombit. Mbi të gjitha mediat audiovizive e kanë zbehur shumë komunikimin e drejtpërdrejtë midis liderëve politikë dhe masave të qytetarëve nëpërmjet mitingjeve. Veçanërisht televizioni ka sjellë mundësinë që qytetari, në shtëpinë e tij, në mënyrë të qetë, pa mundime, të shohë debate politike mes përfaqësuesve të ndryshëm politikë. Atje peshon argumentet, analizon qëndrimet e gjithsecilit, përse jo, edhe hyn në një dialog me klasën e vet politike, duke bërë pyetje dhe marrë përgjigje.

Pra, edhe nga pikëpamja e marrjes pjesë politikisht, realisht, në jetën politike të drejtpërdrejtë të vendit, ndofta edhe shumë më gjerë sesa kaq, mitingu është zëvendësuar pa masë nga format e komunikimit mediatik. Njeriu në miting ishte dikur si spektatori në një sallë teatri, që ndiqte dhe merrte pjesë në spektaklin e politikës. Tanimë media e ka realizuar dhe tejkaluar shumë herë këtë funksion që sa vjen e thahet. Ai mund ta realizojë spektaklin pjesëmarrës, duke ndenjur në shtëpinë e tij.

Bile në ekranin e televizorit shumë gjera kanë një cilësi tjetër. Në vend të dëgjojë me zhurma të çuditshme fjalime politikanësh, që përcillen keq nga altoparlantët qytetas, në vend që të shohë në forma mikroskopike, nga ndonjë qoshe e sheshit, politikanët mbi tribunë, spektatori i televizionit mbi ekran ndjek nga afër çdo detaj dhe me një cilësi imazhi dhe zëri shpesh herë të shkëlqyer.

Aq më shumë që liria e tij është tepër e madhe. Del sa herë të dojë nga mitingu, për të shkuar e hapur derën e frigoriferit e kollofitur ndonjë copë djathi a gjize, ngrënë kokrra ulliri, apo rihyrë përsëri në miting shtrirë mbi kanape e duke bërë debate për çka sheh dhe dëgjon me familjarët e vet. Pastaj del përsëri nga mitingu dhe shkon në ndonjë cep tjetër të shtëpisë, rikthehet dhe kështu pafundësisht.

Aq e vërtetë është kjo saqë njerëzit mbështetës mund t’i thërrasësh një herë në miting, por, duke u matur mirë, për arsye se një herë e dytë, do të sillte humbje vëmendjeje të konsiderueshme.

Përgjithësisht njeriu i sotëm është bërë individualist. E ka gjithnjë e më të vështirë t’iu kushtohet si një turmë anonime projekteve kolektive, sepse kërkon gjithandej të afirmojë individualitetin e vet. Një miting afirmon individualitetin e një lideri, apo të disa liderëve, kurse masa e qytetarëve mbetet kolektive, anonime, e padiferencuar. Jeta moderne bashkëkohore shkon gjithnjë e më shumë drejt një individualizimi, kurse thirrja në mitingje masive, nuk mund të përsëritet gjatë, sepse ka si bazë kolektivizmin. Imagjinoni një njeri që është i dhënë pas veturës së tij individuale dhe që nuk pranon as të përdorë mjetet e transportit kolektiv. Sa do ta suportonte ai të merrte pjesë dy herë radhazi në një miting masiv. Më duket shumë e vështirë.

Mitingu dhe komunikimi në turmë më shumë ngjall dhe mbështetet në pasionet, çliron energji pasionante, atëherë kur bëhet i mundur, dhe pak i drejtohet arsyes. Për këtë arsye turmat sot më shumë iu ngjajnë spektatorëve që kanë ardhur të marrin kënaqësi ndjenjash, të shpërthejnë adrenalinën e tyre, sesa të merren vesh e të marrin vesh për jetën politike të vendit dhe të interesohen për fatet politike të tyre. Jo më kot stadiumet evropiane mbushen me tifozë, jo më kot stadiumet dhe sheshet mbushen me fansa të muzikës për të ndjekur këngëtarët e tyre në koncert, por nuk ndodh kështu me veprimtarinë politike.

Turma dhe komunikimi në turmë sot është më shumë është një mjet dëfrimi sesa pjesëmarrje në një veprimtari masive serioze sikurse është politika.

Interneti e shpërbën edhe më shumë dobinë e një mitingu politik. Është e kuptueshme që kjo të ndodhë kur dihet se në një miting komunikimi ndodh midis liderit politik në tribunë dhe masës së padiferencuar të qytetarëve poshtë saj, që dëgjojnë çka iu thuhet dhe deklarohet. Ky është standardi i mjaft mitingjeve. Kurse forumet në internet veç të tjerave lejojnë komunikimin politik ndërindividual, krijojnë mundësi që të gjithë ta marrin fjalën nëse dëshirojnë, bile pa ia ndërprerë ligjërimin njeri-tjetrit, pa thërritur dhe pa iu imponuar njeri-tjetrit.

Sepse ato mitingje që bëhen sot, kur është fjala, nuk iu ngjanë më atyre mitingjeve gjysmë anarkike të gjysmës së dytë të shekullit të nëntëmbëdhjetë apo të fillimeve të shekullit të njëzetë, që jemi mësuar të shohim nëpër dokumentarë historikë apo të lexojmë dëshmitë nëpër libra a arkiva. Në ato mitingje ndodhte shpesh që oratori dilte nga masa, që të gjithë kishin mundësi ta merrnin fjalën, në mos të hipnin nëpër tribuna, mitingjet në përmasa sigurisht më të vogla ndërpriteshin nga debatet midis pjesëmarrësve. Nuk dihej se kush do ta zotëronte opinionin e pjesëmarrësve në fund të mitingut. Kurse sot, atje ku mitingjet, ndodhin, nuk bëhet fjalë më për të tilla shfaqje të demokracisë direkte.

Mitingu nuk është më një shprehje e demokracisë direkte. Prandaj nuk është më një miting. Nuk është më një mbledhje. Nuk është më një takim. Sepse në fakt takim nuk ka. Nuk ka takim jo në planin fizik, sepse kjo sigurisht që realizohet, por në planin e shkëmbimit të ideve dhe pikëpamjeve politike. Nga mitingjet e dikurshme klasike që kemi parë, nga lindja e idesë së mitingut si i tillë, nuk ka mbetur veçse fjala. Tani grumbullimet njerëzore synohen të bëhen sa më të mëdha. Duhet të marrësh mikrofonin për të folur. Po ku ta gjesh? Duhet të hipësh në tribunë. Por, kush të lejon se? Duhet të japësh argumente “pro” dhe “kundra”, por për këtë duhet një kohë e gjatë për të bindur të tjerët, që jo medoemos janë në një mendje me ty. Nëse të gjithë do të dëshirojnë të marrin fjalën, atëherë do të mbretëronte kaosi, kakofonia.

Mitingu ose është spontan, ose nuk është më një miting në kuptimin klasik të fjalës. Në kuptimin e domosdoshmërisë së tij në kohën e shkuara kur lindi dhe u zmadhua si dukuri komunikimi politik. I organizuar me metodat e sotme ai i ngjan më shumë një spektakli masiv, ku aktori është edhe vetë spektatori dhe spektatori është edhe aktori. Mirëpo është një aktor kolektiv, jo individual, nuk është më individual, me të drejta individuale për të marrë fjalën, hedhur dhe pritur, bukuria e komunikimit në grup, dhe prandaj ka nisur të thahet dhe të bëhet gjithnjë e më i vështirë për t’u organizuar.

Kuptohet se në vendin tonë ka ende një mitologji dhe një simbolikë kolektive të gjallë të mitingjeve. Mitingjet e detyruara të kohës së shkuar kishin për objektiv presionin psikologjik mbi masat dhe bashkëfajësimin e tyre për ngjarjet a politikat e ardhshme, shenja të forcës së regjimeve totalitare për të sfiduar individin nëpërmjet grupit, si edhe një qetësim i ndërgjegjes së drejtuesve politikë para turmës brohoritëse, sigurimin se hovi psikik i popullit ishte devijuar atje ku mendohej.

Mitingjet e para demokratike ishin edhe ato të domosdoshme. Edhe sepse nuk kishte forma të tjera kaq të lira të komunikimit politik alternativ, mediat qëndronin të bllokuara, edhe sepse tregonin tashmë forcën e mitingjeve përmbysëse, në energjinë e tyre të pandalshme, kundër forcave të dhunës dhe represionit politik të aparateve shtypës.

Mirëpo kjo traditë ka ardhur koha të shihet paksa me sy kritik, sado e vlefshme që të ketë qenë në të kaluarën. Edhe sot forcat politike e kanë prirjen për ta kapur sheshin. Mirëpo mbetet pyetja, përveç rasteve festive, të ngjarjeve kombëtare, a është mitingu edhe një ballafaqim politik i përshtatshëm për kohët tona?

Më duket se ka vend për t’u menduar këtu edhe nga ana e organizuesve të mitingjeve. Dialogu politik është i munguar sepse oratorët e përzgjedhur nuk janë aty për të debatuar me njeri tjetrin, për të treguar dallimet, por për të shprehur solidaritet. Çfarë është thënë në një miting që nuk është thënë më parë në media? Aq më pak në miting nuk ftohen kundërshtarët për t’u përballur me ta para syrit të njerëzve. Kjo do ta kishte bërë mitingun një shkollë oratorie, sikurse kanë qenë dikur mbledhjet dhe forumet politike. Kush nga pjesëmarrësit mund ta marrë fjalën në miting veç atyre që janë në tribunë? Askush. Nuk jepen argumente të arsyeshëm në mitingje, jepen slogane deklarative, dhe nuk mund të ndodhë ndryshe. Duhet folur shpejt se turma poshtë nuk ka durim. Duhet thërritur sepse kërkohet entuziazmi i masës. Të gjitha këto dëmtojnë përpunimin e argumentit të arsyeshëm. Gjerat trajtohen globalisht se askush nuk ka kohë dhe nuk mund të bëjë çmendurinë që në fund të fjalës së vet të pyesë masën: A ka ndokush ndonjë pyetje për këto që u thanë këtu? A ka dëshirë njeri ta marrë fjalën? Në këtë kuptim mitingu humbet barazinë e pjesëmarrësve në të, që është e domosdoshme për një hapësirë publike komunikimi e vendosur mbi rregulla demokratike.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: