KOSOVË- Zëvendëskryeministri i Kosovës, Branimir Stojanoviç ka deklaruar se ende nuk është vendosur nëse Lista Serbe do të vazhdojë të mbetet pjesë e qeverisë dhe se në ditët në vazhdim pritet të mbahen takime rreth kësaj çështje.

Stojanoviç pohoi se gjatë ditëve të ardhshme pritet të ketë takime me kryeministrin serb, Aleksandar Vuçiç dhe serbët në Kosovë. “Po të kishte të bënte vetëm me ne, shumë lehtë do të vinim deri tek vendimi. Por, për shkak të kompleksitetit të çështjes dhe përgjegjësisë ndaj njerëzve, duhet të matim mirë çdo hap. Në fakt nuk kemi zgjidhjen më të mirë, ne duhet të zgjedhim të keqen më të vogël”, ka thënë Stojanoviç.

Ai gjithashtu ka folur edhe për marrëveshjen e arritur rreth gjyqësorit në Bruksel, duke vlerësuar se është “më e mira e mundshme në rrethanat e tanishme”. Zëvendëskryeministri i Kosovës gjithashtu ka shtuar se pret që temë qendrore e bisedimeve të radhës ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës të jetë formimi i Asociacionit të komunave serbe, e cila sipas tij është thelbësore për mbijetesën e serbëve në Kosovë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb