Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, gjatë vizitës së tij në Norvegji, 5 shtator 2024.

Ukraina ka arritur “shumë” në inkursionin e saj brenda rajonit Kursk të Rusisë, por është e vështirë të thuhet se si do të zhvillohet situata më tutje, tha sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, të enjten në Oslo.

“Vetëm ukrainasit mund të marrin vendime të vështira që nevojiten, si për shembull, se ku t’i zhvendosin forcat e tyre dhe se çfarë lloji i luftës është i duhur në këtë situatë”, tha Stoltenberg.

Kievi pretendon se i ka marrë nën kontroll më shumë se 1.200 kilometra katrorë të tokës ruse falë inkursionit befasues muajin e kaluar. Kjo është hera e parë prej Luftës së Dytë Botërore që ndodh një inkursion në tokën ruse.

Ndërkohë, forcat ruse kanë shënuar përparime të mëdha në përpjekjet e tyre për ta kapur qytetin strategjik të rajonit lindor të Ukrainës, Pokrovsk.

Stoltenberg tha se Ukraina ka të drejtë për vetëmbrojtje, përfshirë për përdorimin e raketave me rreze të gjatë veprimi të cilat mund t’i arrijnë shënjestrat e tyre brenda Rusisë.

“Jam i kënaqur që shumë vende të NATO-s ia kanë dhënë atë mundësi, ndërsa ato të cilat s’i kanë hequr ende kufizimet, i kanë zbutur ato, në mënyrë që Ukraina të mund ta mbrojë veten”, shtoi Stoltenberg.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb