Jens Stoltenberg, i cili po përgatitet t’ia dorëzojë postin e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, tha se NATO është thellësisht e shqetësuar për situatën në Liban dhe se aleatët mbështesin përpjekjet për të ulur tensionin dhe për të arritur një zgjidhje politike në Gaza dhe Liban, raporton Anadolu.
Stoltenberg bëri një deklaratë për media përpara ceremonisë së mbajtur në selinë e NATO-s në Bruksel për t’ia dorëzuar detyrën Rutte.
I pyetur për situatën në Liban, Stoltenberg tha: “Sigurisht, ne ndjekim nga afër se çfarë po ndodh në Liban, por NATO nuk ka rol specifik atje”.
“Pra, sigurisht, si Aleancë, ne jemi në kontakt me të gjithë partnerët tanë atje. Sigurisht, ne shpresojmë që armiqësitë të përfundojnë sa më shpejt të jetë e mundur. Jemi thellësisht të shqetësuar për përshkallëzimin që po shohim në Lindjen e Mesme dhe në Liban. Ne mbështesim përpjekjet e aleatëve të NATO-s për të ulur tensionet dhe për të gjetur një zgjidhje politike si për armiqësitë e vazhdueshme në Gaza ashtu edhe për situatën në Liban”, tha Stoltenberg.
“1.273 persona vdiqën në sulmet e Izraelit në Liban”
Ushtria izraelite, e cila ka vazhduar përleshjet e kontrolluara me Hezbollahun që nga 8 tetori 2023, kreu qindra sulme ajrore në qytetet jugore të Libanit, si dhe në rajonet Beaaa dhe Baalbek më 23 shtator.
Sipas autoriteteve libaneze, gjithsej 1.273 persona, përfshirë 104 fëmijë dhe 194 gra, vdiqën që nga 17 shtatori, kur u shpërthyen pajisjet e komunikimit të përdorura nga Hezbollahu.
Udhëheqësi i Hezbollahut, Hassan Nasrallah, u vra në sulmet ajrore të ushtrisë izraelite në Bejrut më 27 shtator.
Hezbollahu i përgjigjet Izraelit me raketa. Asnjë dëm i madh nuk u raportua në këto sulme, të cilat kryesisht kishin në shënjestër bazat e ushtrisë në anën izraelite.
Qindra mijëra njerëz u zhvendosën brenda vendit në Liban për shkak të bombardimeve izraelite.
Përveç kësaj, përderisa vala e migrimit nga pjesët jugore të vendit drejt kryeqytetit Bejrut dhe veriut vazhdon, thuhet se dhjetëra mijëra njerëz kanë emigruar në Siri.