OSLO – Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, shprehu sot një mbështetje në rritje që Mali i Zi të ftohet për t’u anëtarësuar në NATO, një çështje që do të vendoset në muajin dhjetor.
“Nuk do të paragjykoj vendimin (…) por shikoj një lloj mbështetjeje në rritje që Mali i Zi të jetë i ftuar për t’u bërë pjesë e Aleancës Atlantike”, deklaroi Stoltenberg gjatë një takimi të parlamentarëve të vendeve të NATO-s, në Stavanger.
“Mali i Zi po bën progrese përsa i përket Shtetit të së Drejtës, përsa i përket zbatimit të një drejtësie të pavarur, por gjithashtu përsa i përket modernizimit të forcave të armatosura, shërbimeve sekrete”, theksoi ai duke u shprehur optimist për progreset e konstatuara.
Pas pavarësisë në vitin 2006, Mali i Zi është angazhuar, si shumë vende të Ballkanit, për një afrim me NATO-n, që numëron sot 28 anëtarë.
(el.sp/BalkanWeb)