Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës së NATO-s, Jens Stoltenberg, deklaroi se përpjekjet e Bashkimit Europian për mbrojtjen nuk duhet të konkurrojnë me NATO-n. “Unë kam qenë po aq i qartë për faktin se përpjekjet e BE-së nuk duhet të konkurrojnë me NATO-n, sepse NATO mbetet thelbi i sigurisë europiane”, tha Stoltenberg para takimit të Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së.

Stoltenberg tha se rreth 80% e shpenzimeve të NATO-s për mbrojtje do të vijnë nga aleatët e NATO-s jashtë BE-së pas Brexit-it shkruan atsh. Ai përshëndeti gjithashtu nivelet “e paprecedenta” të bashkëpunimit midis BE-së dhe NATO-s. “Mbrojtja më e fortë europiane mund të kontribuojë në ndarjen më të drejtë të barrës brenda NATO-s”, theksoi Stoltenberg.

Stoltenberg theksoi se “përpjekjet e BE-së mbi mbrojtjen mund të kompletojnë NATO-n, si mbështetje për të zhvilluar aftësitë e reja të Aleancës dhe trajtimin e fragmentimit të tregut të mbrojtjes të BE-së”. Ai theksoi se “gjeografia dhe paraja janë fakte që nuk mund të injorohen. Norvegjia në veri dhe Turqia në jug, Kanadaja, SHBA-ja dhe Britania e Madhe në perëndim janë të rëndësishme për sigurinë europiane”, tha Stoltenberg.

BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb