Nga: OLA MITRE*
TIRANE – Strabizmi apo devijimi i syve prek 2-3 për qind të fëmijëve, ndërkohë që nëse nuk diagnostikohet dhe ndërhyhet në kohë për trajtimin e tij, mund të lërë pasoja të mëdha në shikim për gjithë jetën”. Shpjegimi vjen nga mjekja oftalmopediatre në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Eneda Rustemi, e cila shpjegon në detaje masat që duhet të merren për të korrigjuar plotësisht këtë problem të shikimit.
Doktoreshë, çfarë është strabizmi?
Devijimi i syve apo strabizmi nuk është thjesht një anomali estetike, por në pjesën më të madhe të rasteve flet për çrregullim të rëndë të pamjes. Rreth 2-3% e fëmijëve paraqesin strabizëm, i cili mund të jetë i lindur apo mund të shfaqet gjatë viteve të para të fëmijërisë. Strabizmi nuk është thjesht një problem estetik, përkundrazi, është një sëmundje serioze me probleme të mëdha të shikimit. Shpesh është menduar se është sëmundje e trashëguar, por jo në të gjitha rastet është ky shkaku i shfaqjes së tij.
Po te të rriturit, a mund të shfaqet?
Shpesh është i shfaqur që në fëmijëri, por nuk është trajtuar për shkak të neglizhencës ose është rishfaqur më vonë për shkak të shkaqeve të ndryshme, si: mungesa e korrigjimit optik, fillimi i presbiopsisë, lodhje të syve. Strabizmi te të rriturit mund të jetë edhe shenjë e paralizës muskulare të fituar. Ndërhyrja kirurgjikale mund të jetë e nevojshme për korrigjimin e shtrembërimit.
A mund të korrigjohet kjo sëmundje e syve?
Më e rëndësishme është që të përcaktohet defekti që sjell strabizmi në shikim. Duke kryer këtë korrigjim, përmirësohet shikimi dhe devijimi i bulbit të syrit. Korrigjimi optik, pra i defektit të shikimit duhet të bëhet sa më parë. Nëse nuk diagnostikohet dhe ndërhyhet në kohë për trajtimin e tij, mund të lërë pasoja të mëdha në shikim për gjithë jetën, siç është ambliopia apo syri dembel te fëmijët.
Si mund të bëhet ky korrigjim?
Strabizmi është i shpeshtë në fëmijëri dhe mund të korrigjohet plotësisht ose pjesërisht me syze. Kur nuk arrihet korrigjimi i plotë me syze, atëherë bëhet korrigjimi kirurgjikal me rezultate shumë të mira. Për strabizmin që vjen si pasojë e një defekti refraktiv, terapia bëhet me anë të korrigjimit optik.
Strabizmi konsiderohet shpesh vetëm si një problem estetik. Në të vërtetë, sa i rëndësishëm është trajtimi i kësaj sëmundjeje?
Ana estetike e strabizmit mund të trajtohet 100%, por e rëndësishme është korrigjimi i pamjes. Procesi i operimit është çështje estetike, por strabizmi nuk është thjesht një problem estetik. Përkundrazi, është një sëmundje serioze me probleme të mëdha të shikimit. Nëse nuk diagnostikohet dhe ndërhyhet në kohë për trajtimin e tij, mund të lërë pasoja të mëdha në shikim për gjithë jetën, siç është ambliopia apo syri dembel të fëmijët, siç e thamë edhe më lart.
Kur rekomandohet të kryhet ndërhyrja?
Është mjeku specialist, që pas ekzaminimeve të bëra vendos për operacionin dhe kohën e tij. Koha e kryerjes së operacionit varet nga fëmija në veçanti. Ka fëmijë që duhet të operohen sa më shpejt (6 muaj deri 3 vjeç), po ashtu ka dhe pacientë që mund të presin për t’u operuar në mosha më të mëdha. Strabizmet e lindura (që duken në mënyrë të theksuar që në ditët e para të jetës së fëmijës), janë të pavarura nga përdorimi i syzeve dhe nuk korrigjohen me to. Këta fëmijë duhet të operohen brenda vitit të parë të jetës së tyre që të mund të arrijnë pamjen me të dy sytë. Nëse strabizmi vihet re shpejt dhe me gjithë trajtimin me syze nuk korrigjohet, fëmija duhet operuar sa më shpejt, sepse vetëm në këtë mënyrë arrin të fitojë pamjen me tre përmasa (në thellësi) ashtu si gjithë fëmijët e tjerë.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb