Komisioni Evropian paraqiti sot Strategjinë për Zgjerimin me vendet e Ballkanit Perëndimor.


Dokumenti që u prezantua nga shefja e diplomacisë europiane Federica Mogherini, komisioneri për zgjerimin Johannes Hahn ripërcaktoi nga njëra anë detyrimet kryesore që vetë vendet e rajonit duhet të përmbushin, me përqendrim të veçantë në Shtetin ligjor dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dypalëshe mes tyre, ndërsa nga ana tjetër, flet për një angazhim në rritje të vetë Bashkimit Evropian për t’i mbështetur më shumë këto vende në rrugëtimin e tyre.


Gjatë fjalës së saj, Mogherini nuk përmendi data apo emra konkret shtetesh që veçohen nga njëri-tjetri, por foli për një të ardhme të përbashkët europiane brenda vitit 2025.


“Ballkani Perëndimor ka të njëjtën histori, prandaj dhe ne duam të kemi të njëjtën të ardhme në vijim. Ky është prioriteti ynë. Gjatë tre viteve të kaluara janë arritur edhe rezultate që nuk e kishim menduar që mund të arriheshin. Investimet tona po rriten në të gjithë rajonin, tregtia dhe siguria, po ashtu edhe politika jonë e koordinuar. Shqipëria dhe Mali i Zi janë më shuëm të lidhura me politikat e BE. Sa i përket zgjerimitao do bëhet na bazë të meritave dhe reformave. Kërkojmë që të jenë të njëjtat standarde me ato të BE. Si popujt dhe liderët e Ballkanit janë përpjekur të bëjnë më të mirën në rrugën drejt BE, gjithkush në ritmin dhe kohën e vet, por drejtimi është i qartë. Sot i themi se dhe ne bëjmë të njëjtën zgjedhje perspektiva është tashmë e qartë”,- tha Mogherini.

Sipas saj, “Vendimet e rëndësishme pritet të merren në qershor”

Ajo shtoi se 2025 nuk është vetëm një target për anëtarësimin, por një perspektivë realiste, “për të kompletuar procesin e zgjerimit për ato që po negociojnë dhe që do të nisin negociatat në të ardhmen. Pres që dhe vendet e tjera në muajt e ardhshëm të nisin negociatat. Sot nuk kemi adoptuar vetëm një strategji por kemi hapur një rrugë që në muajt e ardhshëm të na sjellë vendime të tjera. Raportet vjetore do të publikohen në prill, do kemi samitin BE-Ballkan Perëndimor në maj dhe një vendim të mundshëm të këshillit në qershor. Strategjia mbështet këtë agjendë me iniciativa të qarta”, vijoi Mogherini.

Ndërsa komisioneri për zgjerimin Johannes Hahn deklaroi se nuk pranohen ato shtetet që nuk përputhen me standardet e BE. “Nuk pranohet një anëtar i ri që nuk ka standardet tona. Po bëjmë presion pozitiv në rajon që të ecim sa më drejt integrimit në BE”.
(m.a/BalkanWeb)