TIRANE

“Streha mes reve” është filmi shqiptar i regjisorit Robert Budina, i cili u prezantua në “Tallinn Black Nights Film Festival” në Estoni. Një ngjarje shumë e rëndësishme për të gjithë shqiptarët, të cilët këtë herë kanë mundësi të jenë me një film në bashkëpunim me disa shtete të tjera evropiane, në një konkurrim zyrtar të një festivali të tillë.

Bëhet fjalë për një film, që e ndërton fjalën e tij në ambientet e mrekullueshme të Valbonës, në një dramë sa familjare por aq edhe globale siç është pikërisht bashkëjetesa mes feve, por mbi të gjitha bashkëjetesa dhe në familjet tona.

Filmi i prezantuar në këtë festival ka pasur një vëmendje të veçantë edhe për sa i përket kritikës. Ky film sjell një aktor të rëndësishëm, Arben Bajraktarin, i cili është i njohur në rolet e tij Hollivud në filmin “Taken” me rolin e Markos, apo në filmin e madh “Harry Poter” në dy seritë e tij.

Ky film do të prezantohet premierë për publikun shqiptar më 13 dhjetor. Ndërkohë që premiera botërore e filmit u zhvillua në Talin, Estoni më 28 nëntor. I ftuar në emisionin “Chic” të Fjodora Fjorës në News 24 regjisori Robert Budina tregon detajet e filmit, “Streha mes reve” për premierën e prezantuar në Talin, Estoni por edhe si u prit filmi nga kritikët.

“Ishte një emocion i jashtëzakonshëm, ishte kurorëzimi i një pune shumëvjeçare dhe jam shumë i prekur nga pritja, nga emocionet që na fali premiera por edhe si u prit nga kritika. Themi se kemi shpresa të mira, që filmi të shkojë në një hapësirë shumë të gjerë botërore.

Pyetja më interesante që ty të kanë bërë?
Ishte ajo kur një grua, që tha gjëja e parë, që do të bëj pas këtij filmi është që do të shkoj të vizitoj Shqipërinë. Dhe kjo ka qenë dhe ideja ime të prezantoja një Shqipëri të mrekullueshme në kuptimin gjeografik dhe shpirtëror.

Nga kamera e puna në Valbonë në ekranin e madh të kinemasë, sa ia kishe arritur me pamjet e sjella nga Shqipëria jonë?
Them se ia kemi arritur mirë bashkë me drejtorin e fotografisë, i cili i ka dhënë imazhit një fuqi të jashtëzakonshme, që arriti t’i zbërthente ndjesitë e mia të brendshme dhe t’i konvertonte në imazh dhe kimia që patëm me njëri-tjetrin ishte ajo që solli fryte të jashtëzakonshme në këtë punë. Jam përpjekur që natyrës t’i jap shpirtin e personazhit kryesor dhe besoj se kjo u transmetua me sukses dhe për këtë jam shumë i lumtur. Mesazhi më interesant i filmit është si mund ta duam ne Zotin nëse nuk duam njëri tjetrin? Jam përpjekur që këtë ta transmetoj dhe problemi i vërtetë që kanë njerëzit nuk është feja por janë interesat.

Një nga revistat më prestigjioze në botë, “Screen Daily” të ka përmendur në një shkrim kritik, komenti juaj?
Jam shumë i lumtur, është një gjë e rrallë që ata të thonë gjëra në shkallën sipërore të lavdërimeve. Mendoj se duhet të rrimë me këmbë në tokë por mendoj se filmi e ka përcjellë atë që ne kemi dashur të themi nëpërmjet tij. Në bëmë një kompleks të shkëlqyer të gjithë njerëzve që morën pjesë në film edhe elektricisti i fundit punonte me shumë pasion në këtë projekt.

Në film ka pasur edhe vështirësi. Kisha merakun më të madh me dhitë, se një aktor kur luan përballë fëmijëve dhe dhive zakonisht është i humbur sepse dhitë apo kafshët në përgjithësi edhe fëmijët janë gjithnjë më të bukur më të fortë sepse ata janë të sinqertë. Ishte magjike sepse kur i thërrisja ato vinin dhe kështu kishim një marrëdhënie magjike.

Besniku, personazhi kryesor është roli më i bukur që kam parë deri më sot. Edhe pasi e lashë Valbonën edhe u ktheva në Paris isha në punë tjetër ndonjëherë më dukej sikur në ndonjë cep të rrugës shihja Besnikun me një copë nga bjeshkët me të bukurat dhe plagët e saj. Pra këtë gjë ne do të sjellim në Tiranë më 13 dhjetor.

(er.cu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb