Ish-ministri i Drejtësisë dhe eksperti i njohur Eduard Halimi, i ftuar në studion e emisionit “Kjo Javë” në News24 ka komentuar marrëveshjen e firmosur mes Shqipërisë dhe Italisë për strehimin e dhjetëra mijëra emigrantëve ilegalë në kampe brenda territorit shqiptar.

Halimi argumentoi se ka një mungesë të theksuar transparence lidhur me këtë marrëveshje, ndërsa shtoi se çdo akord ndërkombëtar që nënshkruan vendi duhet të respektojë të drejtën ndërkombëtare dhe Konventat ku Shqipëria bën pjesë.

Sipas tij në këtë rast nuk ka asnjë referencë juridike dhe ligjore dhe protokolli për strehimin e emigrantëve ka pa përputhshmëri me aktet e së drejtës publike.

Ai shtoi se në këtë marrëveshje ka shkelje të të drejtave të njeriut dhe se vendosja e emigrantëve duhet bërë me vendim gjyqësor, jo me vendim qeveritar.

“Ka një mungesë të theksuar transparence lidhur me këtë marrëveshje mes dy vendeve. Çdo marrëveshje ndërkombëtare që nënshkruan vendi duhet të respektojë të drejtën ndërkombëtare dhe Konventat ku marrim pjesë. Nuk ka asnjë referencë juridike dhe ligjore. Ky protokoll ka pa përputhshmëri me aktet e së drejtës publike.

Emigracioni i paligjshëm drejt Italisë është shqyrtuar në Hagë dhe është marrë një vendim kundër Italisë në mënyrë unanime. Vetëm 3 muaj përpara ky vendim mori formë të prerë. Në marrëveshje nuk ka detaje. Ka shkelje të të drejtave të njeriut. Emigrantët nuk janë mallra, në momentin që futen në territorin e vendeve të KE-së, kanë të drejta të barabarta me ne. Atyre duhet t’u respektohen të gjitha të drejtat. Vendosja e këtyre personave në një kamp duhet bërë me vendim gjyqësor, jo me vendim qeveritar”, u shpreh ai mes të tjerash.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb