IZRAEL-Autoritetet në Izrael kanë zhvilluar sot një ceremoni nderimi për familjen e ministrit të Bujqësisë,Edmond Panariti, për kontributin që kanë dhënë në shpëtimin e hebrenjve gjatë luftës.

Ceremonia u zhvillua në muzeun e Holokausit “Yad Vashem” në Jeruzalem. Emri i familjes së ministrit Panariti është shkruar në memorialin e Muzeut të Holokausit. Familja e Panaritit strehoi një familje hebrenjsh gjatë luftës.

“Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, z. Edmond Panariti në ditën e dytë të vizitës së tij në Izrael u ftua në muzeun e holokaustit Yad Vashem në Jeruzalem, për të marrë pjesë në ceremoninë e nderimit të familjes Panariti me titullin, “The righteous among the nations”, për kontributin e dhënë në shpëtimin e hebrenjve gjatë luftës së dytë Botërore. Ministri Edmond Panariti mori pjesë në ceremoninë e ndezjes së flakës dhe vendosjen e kurorës në altarin përkujtimor të holokaustit si dhe në gdhëndjen e emrit të familjes në memorialin e muzeumit. Ministri Panariti në ceremoninë e zhvilluar theksoi se si rrallë vende të tjera, shumë familje shqiptare strehuan dhe mbrojtën nga shfarosja familjet hebreje.

“Populli shqiptar ndihet krenar që mbrojti nga mizoria naziste familjet hebreje. Shpirti i ndihmës, solidaritetit dhe tolerancës është një nga virtytet më të spikatura të popullit shqiptar”, tha Ministri Edmond Panariti gjatë fjalës së tij në ceremoninë e zhvilluar në në muzeun e holokaustit Yad Vashem në Jeruzalem. Familja e Ministrit Panariti fshehu, strehoi dhe mbrojti nga persekutimi nazist nje familje hebreje nga Selaniku gjatë luftës së dytë Botërore. Një ceremoni zyrtare për këtë qëllim do të zhvillohet dhe në Tiranë më 23 Korrik 2015. “- behet me dije nga zyra per media e Ministrise se Bujqësisë.
(a.n/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: