Mësues dhe qytetarë britanikë kanë nisur një peticion për të parandaluar deportimin e një studenti shqiptar, të cilin e cilësojnë si të jashtëzakonshëm.

Bëhet fjalë për 18-vjeçarin Stiven Bregu, i cili rrezikon kthimin në vendin e tij. Për të ndaluar largimin e tij, janë mbledhur deri më tani 6000 firma nga britanikët.

Bregu shkoi në Britaninë e Madhe në vitin 2015, kur ishte 13 vjeç, me qëllimin e vetëm që t’i shpëtonte dhunës në familje, shkruan ‘BBC’. Pas mbërritjes në vendin e huaj, shqiptari u dërgua në një qendër për të mitur, ku la mbresa për aftësinë e tij për të mësuar. Ai ka bërë kërkesë për azil, por kërkesa e tij është mohuar.

“Kam studiuar shumë, jam munduar të ndërtoj të ardhmen time në Britani, e cila tashmë është shtëpia ime”, ka thënë Stiven.

Ishte mësuesi i djaloshit, Rob Shaw, i cili lançoi peticionin për të mbajtur Stiven në Angli.

“Ne kemi investuar aq shumë për Stiven. Si një qytetar britanik nuk jam aspak krenar me atë që duan të bëjnë ndaj tij. Ai është një pasurie e madhe. Ai ka kaluar provimet në nivel shumë të mirë. Ai gjithashtu ia ka dalë të sigurojë një ofertë shumë të mirë nga një firmë menaxhimi të pasurive për shkak të aftësive të tij të shkëlqyera në matematike”, ka thënë mësuesi.

“Student i shkëlqyer dhe një pasuri e madhe për shkollën”, ka thënë një tjetër mësuese e tij.

Aplikimi i Stiven Bregu për të qëndruar në Britani të Madhe u refuzua pasi ai nuk u kualifikua për azil sipas rregullave të emigracionit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb