Mijëra qytetarë, së bashku me studentët dhe përfaqësuesit e komuniteteve joformale, bllokuan trafikun në Urën e Brankos, në shenjë mbështetjeje për punonjësit e arsimit të shkollave të mesme dhe fillore.

“Sot nuk e kalojmë urën. Sot qëndrojmë për të treguar se ka vlera mbi të cilat nuk mund të kalohet – e vërteta, drejtësia dhe dinjiteti”, tha një nga përfaqësueset e komunitetit joformal të shkollave fillore dhe të mesme të Beogradit “Puls”.

Qytetarët iu përgjigjën thirrjes së studentëve të Universitetit të Beogradit për të marrë pjesë në tubimin “Të gjithë në urë, sepse mjaft më”, me qëllim mbështetjen e punonjësve të arsimit, të cilët janë në bllokadë që nga shkurti dhe të cilëve u është ulur paga për të dyja pjesët e muajit shkurt.

Tubimi u mbajt në të dyja anët e Urës së Brankos, e cila lidh pjesën e re me atë të vjetër të Beogradit, gjë që, sipas përfaqësueses së “Puls”-it, “simbolizon nevojën për lidhje”.

Të pranishmit bënë zhurmë me bilbila dhe vuvuzela, ndërsa dëgjoheshin thirrjet “pumpaj” dhe “kush nuk kërcen është mësues”. U vunë re flamuj të Republikës së Serbisë, si dhe flamuj të fakulteteve.

Pasi u bashkuan kolona nga pjesa e re e Beogradit dhe ajo e studentëve nga Qyteti i Vjetër, protestuesit hodhën 19 trëndafila të bardhë në lumin Sava, në kujtim të viktimave të sulmeve të 3 dhe 4 majit 2023 në shkollën fillore “Vladislav Ribnikar” në Beograd dhe në fshatrat Dubona dhe Malo Orašje. Pas kësaj, u mbajtën 19 minuta heshtje.

Një minutë heshtjeje u mbajt për viktimat e shembjes së mbulesës së Stacionit Hekurudhor në Novi Sad në nëntor.

Pas këtij incidenti, në Serbi u nisën protesta, ndërsa më masivet deri më tani janë mbajtur në Novi Sad, Kragujevc, Nish dhe Beograd.

Studentët kërkojnë nga autoritetet funksionimin e duhur të institucioneve dhe publikimin e gjithë dokumentacionit mbi rikonstruksionin e stacionit hekurudhor në Novi Sad.

(A.A/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb