TIRANE– Studentë të Universitetit të Shkencave Mjekësore janë hedhur sot në protestë. Shkak është bërë heqja e sezonit të provimit para diplomimit.

Të gjithë njëzëri studentët pohuan se u rrezikohet diplomimi, ndërsa në shenjë ‘hakmarrje’ kanë bojkotuar mësimin dhe kanë bllokuar hyrjen e fakultetit.

Bëhet fjalë për të gjithë studentët e viteve të treta të sistemit Bachelor. Ndonëse u ra në me akord edhe me senatin dhe bordin drejtues të Universitetit, se në muajin qershor do të kishte një sezon për provimet e mbartura, pak para diplomimit, kjo gjë u anulua. Nga ky vendim digjen shumë studentë.

“Rrezikojmë diplomimin. Na kanë hequr sezonin e provimit para diplomimit. Heqja e sezonit, djeg diplomimin për këtë vit dhe na shtyhet për 2 vjet diplomimi. Detyrohemi të paguajmë tarifën vjetore të shkollimit”, thanë protestuesit.

Të gjithë situatën e krijuar e tregoi një prej protestuesve, i cili në një lidhje telefonike për ‘News24’ ai tha se nga kjo skemë digjen shumë studentë. “Ka shumë studentë me provime të mbartura. Por me këtë skemë detyrohemi të paguajmë tarifën vjetore të shkollimit”, tha ai.

Duke marrë shkas nga situata e krijuar, mes Senatit te Universitetit dhe studentëve ‘rebelëve’ ka pasur perplasje. Senati ka bërë thirrje që studentet të lënë protestën, pasi do të gjendet një zgjidhje me vendosjen sërish të sezonit para diplomimit. Ndërkohë, mes protestuesve është edhe deputetja e LSI, Floida Kërpaçi. Aktualisht po negociohet.

20180111-114728

20180111-114738

20180111-114722

20180111-114718
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: