TIRANE- Studentët e privatit që protestojnë për tarifat e diferencura të shkollimit të aplikuara ndaj tyre në universitetin publik, kanë ndalur sot në ditën e 3-të, grevën e urisë që po zhvillonin në një ambient të improvizuar në sheshin “Nënë Tereza”.

Por ndalja e grevës, nuk do të thotë se ata janë dorëzuar. Beteja e tyre do të vijojë tashmë në Gjykatën Kushtetuese. Studentët kanë arritur të mbledhin 28 firma deputetësh me ndihmën e Partisë Demokratike.

Pikërisht ky lajm iu bë i ditur studentëve nga Drejtori i Departamentit për të Drejtat e Njeriut në Partinë Demokratike, Ervin Salianji, i cili ka se kërkesat e tyre janë thjesht ekonomike.

“Kemi mbledhur 28 firma deputetësh për të shkuar në Gjykatën Kushtetuese, se greva e tyre bëhet për arsye ekonomike dhe jo politike. Por kjo qeveri e ka mendjen të vrasë njeri-tjetrin, jo për jetën e studentëve dhe qytetarëve”, tha ai.

Ndërsa studenti Lorijan Çela sqaron se arsyet e grevës janë thjesht për tarifat, ndërsa shton se ai vetë ka protestuar edhe në bulevard me opozitën në kohën e Ramës, pasi i dukej e drejtë kauza që ata mbronin.

“Ne kërkuam të zgjidhej çështja e tarifave të diferencuara. Gjykata Kushtetuese do ta ndjekë tashmë shqetësimin tonë. Unë kam qenë edhe në grevën e PS, në bulevard. Në atë kohë më dukej një çështje e drejtë. Në të njëjtën mënyrë mendoj edhe tani, këtu jam për të protestuar për një padrejtësi, pavarësisht kush është në qeveri. Kjo do të thotë se nuk ka lidhje politike. Jam i njëjti person”.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: