Reforma në Drejtësi është një nga kushtet kryesore që Shqipëria duhet të plotësojë për t’u bërë pjesë e familjes europiane. Në kuadër të kësaj çështjeje, universiteti “Luarasi” zhvilloi një bashkëbisedim me një grup studentësh gjermanë. “Reforma në Drejtësi dhe Integrimi Europian” ishte tema rreth së cilës u diskutua e ku u sugjeruan rrugë për përshpejtimin anëtarësimit të vendit tonë në BE.

Avokati Saimir Visha, pedagog i së drejtës penale foli mbi skemën e re të emërimit të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Ai tha se pasuritë e këtyre gjyqtarëve dhe familjarëve të tyre do të jenë lehtësisht të kontrollueshme.

Të rinjtë gjermanë diskutuan me studentët e Luarasit mbi sistemin shqiptar të drejtësisë, reformat dhe korrupsionin. Ata analizuan së bashku edhe rolin që Shqipëria mund të ketë, nëse bëhet pjesë e BE-së.

“Universiteti ynë po bën një udhëtim në institucionet e arsimit të lartë në Shqipëri. Jemi nga Gjermania dhe sot jemi në universitetin ‘Luarasi’ për të folur me studentët për sistemin e drejtësisë në Shqipëri, e veçanërisht për reformat dhe korrupsionin. Jemi këtu për të dhënë disa opsione për implementimin e elementëve që vendi juaj ti bashkohet BE-së”, u shpreh një prej studentëve.

“Dëshironim të flisnim me studentët dhe profesorët shqiptarë për të ardhmen e Shqipërisë dhe mundësinë për të qenë pjesë e Bashkimit Europian. Gjithashtu jemi këtu për të analizuar rolin që mund të luajë Shqipëria nëse bëhet pjesë e familjes europiane. Zgjodhëm të vizitonim këtë universitet pasi shfaqëm interes për programin që ai ofron në fushën e drejtësisë”, tha një student tjetër. Pas aktivitetit, përfaqësuesit e universitetit LMU në Gjermani thanë se ky aktivitet do të pasohet nga bashkëpunime të tjera me Luarasin.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb