* Policia ‘gardh’ tek Kryeministria
* Turp për Ramën që tha “Kakarisje”

TIRANË- Qindra studentë kanë dalë sot në protestë për të kundërshtuar për të disatën herë reformën dhe ligjin e ri për arsimin e lartë. Protesta është organizuar nga ‘studentët e lëvizjes ‘Për Universitetin’ dhe të rinjtë kanë marshuar nga Universiteti Politeknik drejt Kryeministrisë, ku janë ulur këmbëkryq në bulevard. Në protestë marrin pjesë edhe pedagogë, ndërsa vihet re një numër i madh forcash policie që janë vendosur si gardh pranë kryeministrisë.

Protesta vjen pak ditë pas reagimit të dhunshëm ndaj kryeministrit Edi Rama kur i gjuajtën me vezë në Fakultetin e Shkencave Sociale, në kundërshtim për reformën në arsimin e lartë dhe rritjes së tarifave.

Me parulla në duar kundër “Për Universitetin, për shoqërinë”; “Arsim publik falas” me thirrje kundër reformës “S’ka më heshtje, s’ka më pritje, por ka vetëm brohoritje” dhe fishkëllima, studentët i janë drejtuar Kryeministrisë.

Në protestë ka studentë nga vlora, Fieri, Durrësi etj. Një prej studentëve nga Vlora tha se protesta do të jetë paqësore dhe se do të vazhdojnë ta kundërshtojnë reformën në arsimin e lartë. Ai e ka cilësuar “turp” deklaratën e kryeministrit për protestën e studentëve, të cilën e quajti “kakarisje”

“Kam ardhur që nga Vlora për këtë protestë. Sot kemi ardhur për të disatën herë për të kundërshtuar reformën në arsimin e lartë që po e shkatërron universitetin. Protesta jonë paqësore. Veza ishte një akt simbolik. Që ligji në arsimin e lartë do miratohej nuk kishte dyshim duke parë kush e banon parlamentin, ndërsa ne që e banojmë universitetin do e kundërshtojmë. Nuk kemi ardhur të flasim me Ramën, kemi ardhur të tregojmë kundërshtinë. Fakti që kryeministri e cilëson me terma të tillë si ‘Kakarisje’ protestën e studentëve, është turp ndër shumë turpe që ndodhin në vendin tonë. Nga akti i fundit kemi patur shumë mbështetje nga shoqëria civile por edhe nga qytetarë të tjerë. Kemi studentë edhe nga Kosova. Sa herë kemi protesta në lëmin e arsimit kemi mbështetje. Protesta jonë e pandikuar tërësisht nga ana partiake, por është politike. Ka studentë nga i gjithë vendi”, tha ai.

Një tjetër studente tha se protesta e sotme është kundër reformës dhe dhunës ndaj studentëve.
“Sot për të kundërshtuar reformën dhunuese në arsimin e lartë, por edhe dhunën ndaj studentëve. Kjo dhunë ndaj aktivistëve studentorë u krye në sytë e miliona qytetarëve. Vezët nuk kishin qëllim në vetvete por mjet i domosdoshëm për ta çuar përpara protestën. Ne kemi përdorur të gjitha mjetet paqësore për të shprehur kundërshtinë ndaj reformën, por nuk u morën kurrë në konsideratë. Dënojmë dhunën e xhandarëve qeveritarë, dhunën e rritjes së tarifave. Ky është pasqyrim i dhunim të përgjithshëm të studentëve. Nuk na tremb asgjë, as dhuna dhe as pushtimi i padrejtë. Përballja vazhdon”, tha studentja.

“Kryeministri, versioni bashkëkohor i përrallës së Pinokut, që nuk ka hundën e gjatë por gjuhën e lëshuar dhe këmbët e gjata. Me këtë reformë na cenohet liria universitare. Jam studente jo sepse dua të peshohem nga xhepat e mi që s’kanë asnjë lloj peshe, por dua të peshohem nga kapaciteti dhe dashuria që kam për dije”, tha Lirie Kuçi, një prej studenteve e cila u shoqëruar në Policinë e Tiranës në protestën e 2 nëntorit.

“Kam ardhur sot këtu për të shprehur solidaritetin nga gjithë studentët e Kosovës, keni qenë frymëzim për ne. Këtë kauzë e shohim si universale ndaj do jemi në mbështetjen tuaj. Bashkë do jemi edhe më të fortë”, tha Dardan Konjufca, student nga Kosova.

Studentët kërkuan mbajtjen e premtimeve nga ana e qeverisë, që premtoi rritje të buxhetit për arsimin, por që sipas tyre e ka përgjysmuar.

PJESË E THIRRJEVE TË STUDENTËVE

“Duam punë duam dije,
jo pallavra qeverie.
S’duam luks qeveritar,
as piktura e “Jaguarë”,
por shkollim e dinjitet,
ku studenti ka të drejtë.
S’duam rrena duam dije,
as reklama qeverie.
Por reforma për konvikte,
përgjysmim të çdo tarife.
Jam student që nuk frikësohet,
rezistenca nuk ndalohet,
por bashkohem protestoj,
që reformën ta rrëzoj.
Me vezë, me vezë, studenti do ju presë”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb