Zëvendëskryetari i LSI-së Luan Rama deklaroi se nëse ka institucion që nuk mund të flasë për të drejtat e studentëve është pikërisht Parlamenti. Nga foltorja e Kuvendit Rama tha se parlamenti është i padenjë që të merret me problematikat e studentëve.

“Kur flas për përgjegjësi në 28 vite qeverisje të këtij vendi ndaj studentëve, të gjithë jemi përgjegjës. Opozita e ka marrë ndëshkimin e vet, për këtë arsye është në opozitë. Është dënuar opozita prej qytetarëve edhe për këtë gjë. Por, a keni parë që studentët të protestojnë tek selitë e opozitës? Apo shkojnë tek Kryeministri t’i ankohen atij për opozitën?”, tha Luan Rama.

“Faleminderit zonja drejtuese e seancës dhe më vjen mirë që rastisi që këtë seancë e drejtoni ju, një pedagoge me integritet dhe kontribut si mësimdhënëse në edukimin e brezit të ri dhe në punën me studentët. Ashtu siç më vjen mirë që në këtë sallë ka dhe pedagogë të tjerë. Por më lejoni të them që isha në dilemë të flas apo të mos flas? Sepse duke parë seriozitetin me të cilin kjo seancë po diskuton për studentët, duke parë se këtu mungon qeveria e tëra dhe shikoni grupin e mazhorancës se si është katandisur dhe do të kuptoni se sa seriozisht dhe me sa ndjeshmëri po diskutojmë dhe po flasim ne këtu, kinse për studentët. Nëse ka ndonjë institucion në këtë vend që nuk ka të drejtë të flasë për studentët është pikërisht ky parlament. Është ky parlament; sepse është i padenjë të merret me studentët dhe me problemin e tyre, sepse nuk ka bërë asgjë për ta ndaluar situatën që të mbërrinte deri këtu sa që ata të dalin dhe të protestojnë në rrugë, dhe e treta, që duket qartë nga diskutimet e kolegëve të mazhorancës këtu, sepse në mënyrë paradoksale niveli intelektual dhe qytetar mjerisht është mjeran përballë nivelit intelektual, kulturor dhe qytetar të studentëve. Atëherë, me ç’të drejtë mund të merret ky institucion shëmbëlltyrë e hipokrizisë, e injorancës dhe mediokritetit me problemin e studentëve? Na bëjnë analizë këtu duke thënë se studentët e kanë me opozitën. Natyrisht, kur flas për përgjegjësi në 28 vite qeverisje të këtij vendi ndaj studentëve, të gjithë jemi përgjegjës. Opozita e ka marrë ndëshkimin e vet, për këtë arsye është në opozitë.

Është dënuar opozita prej qytetarëve edhe për këtë gjë. Por, a keni parë që studentët të protestojnë tek selitë e opozitës? Apo shkojnë tek Kryeministri t’i ankohen atij për opozitën? Mirë, po pak vrarje në ndërgjegje, pak ndjenjë përgjegjësie dhe ndjese nuk ndien ky Parlament, që të paktën të dalë me një rezolutë pas këtij diskutimi dhe të thotë: Po, studentët kanë të drejtë dhe klasa politike e këtij vendi është përgjegjëse! Si çdo shtëpi që ka të zotin e vet, edhe shteti ka të zotin e punëve Kryeministrin. E nuk mundet të mos themi atë që thonë studentët, që ai është përgjegjësi kryesor për situatën e krijuar. Ka këtu edhe disa pedagogë, kam folur edhe sot me disa kolegë të Partisë Socialiste, që thonë se studentët kanë të drejtë, por kështu e ka kjo punë. Hipokrizi tipike sepse ju jeni hipokrit, jeni dhe të paaftë, jeni dhe të pazotë. Natyrisht, ju shihni vetëm majën e ajsbergut dhe thoni dhe numëroni janë pesëqind, janë njëmijë apo dymijë studentë që dalin në protestë, dhe pastaj filloni dhe thoni janë të kësaj apo të asaj force politike. Po mirë, zotërinj të qeverisë, zoti kryeministër dhe ju të tjerët, më thoni sa studentë janë sot në auditore? Sa studentë shkojnë në mësim? Asnjë. Sepse studentët janë në protestë, sepse studentët janë në grevë dhe studentët janë në rrugë për të kërkuar të drejtat e tyre. E gjithë tjetra është demagogji dhe retorikë bajate. Prandaj, të nderuar kolegë ju ftoj, ulni kokën, të gjithë bashkë të kërkojmë ndjesë dhe ta përdorim oportunitetin që na jep kthimi dekretit nga Presidenti i Republikës si mundësi për të reflektuar në ligj plotësimin e kërkesave të studentëve. E kam thënë kur është miratuar ligji për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor se është prishur kontrata e besimit me studentët, me universitetin. Sot, ne kemi mbërritur në atë pikë që e kemi vrarë kontratën e besimit me studentët, e kemi vrarë kontratën e besimit me qytetarët”, pohoi Luan Rama.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb