TIRANË

Studentët e Universitetit të Tiranës kanë mbushur rrugën para Ministrisë së Arsimit dhe Sportit duke protestuar kundër tarifave të larta. Studentët kanë nxjerrë kartonët e kuq për ministren Lindita Nikolla, për t’i thënë stop tarifave të larta. Fasada e MAS është mbushur me banderola e pankarta të studentëve.

Gazetarja Dorjana Bezat ka siguruar pamje nga protesta për “BalkanWeb” teksa raportoi se studentët kanë deklaruar se tarifat e vendosura nga qeveria janë të papërballueshme për ta.

Protesta Tek Mas (2)
Protesta Tek Mas (2)

Studentët i kanë drejtuar një ultimatum qeverisë dhe duan përgjigje deri në orën 16:00 pasi në të kundër do të përshkallëzojnë protestat dhe do hyjnë në demonstrata. Janë mijëra studentë që protestojnë nga të gjitha fakultetet në kryeqytet. Ndërkohë sot protesta janë zhvilluar edhe në Korçë dhe në Elbasan.

Protesta Tek Mas (1)
Protesta Tek Mas (1)

Gazetari Erjon Skëndaj raportoi ‘live’ për “BalkanWeb” se një hapësirë prej 300 metrash në vijë lineare është mbushur me studentë në Rrugën e Durrësit. Me pankarta në duar “Ne nuk jemi dele”; “Ne nuk paguajmë haraç”; “VKM është VK”; “Shfuqizoni VKM”; “Dija është nevojë”; “Mos na vrisni të ardhmen”; “Duam Shqipërinë si gjithë Europa”, “Jo politikë” etj, studentët i kanë bërë thirrje ministrisë për t’u ulur në bisedime e për të gjetur zgjidhje.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb