…e megjithatë është politike

1. Studentët
Ata e dine vete çfarë bëjnë edhe nuk kanë nevojë për këshilla, as për teori konspiracioni.
Të premten vendosën ç’do bënin për të shtunën me forcën e zërit, kori më i fortë tregoi që ishte shumica, pjesa tjetër u bind edhe në 8 dhjetor dolën të gjithë bashkë.

Sot (Dje) u shtynë e u shanë dhe mos u çudisni hiç që në ngjarje të tilla ndodh edhe kështu, pastaj u ndanë në dy grupe ngjitur njëri-tjetrit dhe qëndruan aty, një turmë e vetme, deri në fund të ditës dhe do dalin prapë nesër (sot).

Ajo turmë ka fituar tashmë një jetë të sajën, me një mekanizëm vetëmbrojtjeje ata vendosën të mos nxjerrin përfaqësi, të mos bëjnë negociata, të qëndrojnë vetëm te kërkesat fillestare, të bërtasin ‘jo politike’ dhe të përzënë cilindo që u duket i ndryshëm, sepse e ndjejnë që po avancuan edhe fare pak më tej do të ndahen. Është një proces gati biologjik.

Ata po bëjnë të pamundurën që të rrinë bashkë, pavarësisht se secili aty ka axhendën e tij. Po normale është që secili ka axhendën e tij. (Pse, unë që dola t’i mbështes, mos dola gjë për uljen e tarifës së provimeve të mbartura? Unë dola ngaqë kujtova se nisi revolucioni :)

Çdokush që është student ka të drejtë të jetë atje, edhe ata të forumeve partiake, ndoshta frymëzohen dhe verës tjetër nuk shkojnë më në kampin e Jalit. Shpirti i asaj turme po i mban të gjithë aty brenda.
Deri tani po ia dalin të rrinë bashkë, nëse nuk ia dalin më vonë s’ka vend për dëshpërim, kështu e kanë këto punë. Ndërkohë le të shijojmë mrekullinë.

2. OP
Vijmë te patatja e nxehtë tani dhe këtu diskutimi është pak më i komplikuar.

Protesta
Protesta

Por së pari dy fjalë për Lëvizjen për Universitetin. Të thuash që Lëvizja është e infiltruar në protestën studentore, është si të thuash që Berisha është i infiltruar në Partinë Demokratike. Lëvizja për Universitetin (që ka në logo një grusht që mban një laps) iu sul që në ngjizje ligjit për arsimin e lartë, paralajmëroi studentët që nuk do i përballonin dot tarifat, gjuajti Ramën me vezë e Nikollën me salcë dhe, siç tregon foto, në 11 nëntor 2015 uli disa qindra studentë para Kryeministrisë.

Sot (dje), pas incidentit me Jani Markën, pamë se si skena u mor nga një grupim me flamur e qeleshe që këndonte ‘o sa mire o hej’, duke lënë të kuptohej se përvojën me turmat e kishin farkëtuar kryesisht në stadium. Momenti më i lumtur aty ishte kur turmën e mbajti me gajret Robert Aliaj. Sloganet dhe refrenet tipike të protestës që ngjallen tek gjithë publiku idenë se po përballen me diçka të re, janë krijuar nga Lëvizja për Universitetin.

Po, me aq sa kuptoj unë që ndoshta kuptoj gabim, Lëvizja ka lidhje të fortë me Organizatën Politike, siç kishte Fronti Demokratik me PKSH (kujdes, jo me PPSH, po flas për më herët në kohë). Ata janë një grup të rinjsh marksistë, ose marksistë-leninistë, ose sido që ta ketë emrin fraksioni ideologjik që përqafojnë, (se me këta prishesh për hiçgjë, ta zëmë shkon i thua gabimisht maoist një trockisti). Kjo pjesë mua nuk më shqetëson. Edhe këta të tjerët që lebetiten nëpër rrjete ‘ata janë komunistë!’, nuk besoj se kanë vërtet frikë se Arlind Qori do t’u marrë pronat. Unë kam simpati për veprimet e tyre, por nuk jam me ta. Nuk do kisha nerva për shembull të shkoja te Logu (një vend që kanë këta) e të dëgjoja ligjërata me temë ‘marrëdhënia mes fshatarësisë dhe proletariatit në Shqipërinë e viteve ‘30’. Pash zotin! A më pëlqejnë kur i shoh në veprim? Vdes fare. Po nuk jam me ata.

A ka mundësi të jenë vegla të Veliajt? Kjo është një pyetje që më ka munduar edhe mua. Në faqen e tyre FB shkruajnë se janë formësuar pas ngjarjeve të 21 janarit 2011. Në fakt, si më plak që jam, kujtoj që grupimi kishte si eksponentë kryesorë, nja dy vite më herët se 2011-ta, Leart Kolën, Andi Kananajn dhe Arbër Zaimin. Unë kam shkruar nja dy herë në gazetën “Gazeta”, me të cilën besoj se merrej Zaimi. Duke rrëmuar në internet, gjeta edhe një replike që u kisha dërguar në 2009 në blogun e tyre saktivista, ku i pyesja si ka mundësi që shikonin shpresa të majta të partia socialiste (kishte nxjerrë Blushi ca teza të majta atëherë dhe këta i jepnin njëfarë përkrahje).

Me ardhjen e Rilindjes në pushtet, Learti dhe Kananaj u bënë drejtorë, kurse Zaimi iku në Prishtine dhe u bashkua me Vetëvendosjen. Pra, një lidhje historike me personazhe të Mjaftit, OP e ka. Siç e tregon gjithë qejf edhe Altin Goxhaj me një video të një proteste gjatë vizitës së Avigdor Lieberman (ku isha edhe unë që, për parapritë, s’kam qenë kurrë pjesë e Mjaft). Por nga kjo, te teoria e konspiracionit se OP është levë sekrete e Veliajt, ka një distancë që e mbush imagjinata. Çfarë nuk bën vaki!

Por eksponentët e OP ishin ndër më aktivët te protestat kundër këndit të lojërave te Liqeni. Ishte në dobi apo në dëm të Veliajt ajo protestë? Mua më duket në dëm të tij, kështu iu duk edhe PD-së që andej nga fundi shkoi u bashkua dhe e dhjeu muhabetin.

Protesta Liqeni
Protesta Liqeni

Ceta, që është një skuadër grafistësh po ashtu e lidhur me OP, mbushi gjithë Tiranën me grafitin e Arditit që u vra në Sharrë, ndërkohë që çdo përpjekje për të folur publikisht për rastin u censurua. Në dëm apo në dobi të Veliajt ishte kjo?

Ceta
Ceta

Aktivistët e OP me Qorin në krye, u përleshën me policinë, krah për krah me banorët te ish-Parku i Autobusëve për të mbrojtur një lulishte që u bë bllok pallatesh. Asnjë TV nuk e pasqyroi kurrë atë ngjarje, që të mos prishej me Veliajn.

Rd
Rd

Këto nuk janë kontestime koti të tipit ‘hajt më bini pak që të duket sikur ju kam kundër’. Këto kanë goditur në zemër të pikave më të sulmuara të Velisë. Nëse Veliaj qenka kaq i sofistikuar, vallahi vështirë do jetë të mposhtet ndonjëherë.
Nëse OP, përkundrazi është një forcë e pakapur, kur do dalë ajo haptazi që të tentojë përballje me sistemin, ose konkurrimin elektoral brenda tij, si Vetëvendosje për shembull? Ketë nuk e di askush përveç atyre që janë në Organizatë, unë besoj se ata e diskutojnë këtë dhe ajo që di të them eshët se taktikat leniniste janë ndër më të suksesshmet në histori.

3. Demokracia
Për ata që kanë pasur durim deri këtu, tani vjen pjesa me e rëndësishme për mua.
Kjo protestë e studentëve mbushi me shpresë të gjithë ata që duan të ndryshojë ky sistem ku po vidhemi e s’po na pyet kush, herë nga njëra palë e herë nga tjetra. Protesta e studentëve është politike që ç’ke me të! ‘Nuk jemi të varfër, jemi të vjedhur’ shkruante një parullë atje.

Shpërndarja e të ardhurave publike në këtë vend bëhet shumë keq dhe kjo është çështje politike. Kjo është çështja që bashkon protestën e studentëve me protestën e Astirit. Por për të pasur shpërndarje të drejtë, duhet pjesëmarrje në vendimmarrje. Kjo na takon të gjithëve.

Në vend t’u bëjmë thirrje studentëve të shkojnë te Kryeministria, ne duhet të dalim vetë, të gjithë bashkë a tek e tek, si të doni, por duhet të dalim të gjithë. Leksioni i protestës së studentëve ky është, dilni në rrugë! Po këtë duhet ta bëjmë vetë, jo të na e bëjnë studentët.

Problemi kryesor këtu është se demokracia iu vodh shqiptarëve, sidomos me ndryshimet në Kushtetute në 2008.
A e dini ç’thotë Kushtetuta? Thotë që Kryeministri, nëse humb shumicën në Parlament, e shpërndan Parlamentin. D.m.th pakica e Parlamentit vendos që Parlamenti të shpërndahet. D.m.th nëse ata që ka vënë në lista kryetari i partisë i dalin kundër kryetarit, ky ua heq të drejtën e të qenit deputetë dhe nis hartimin e listave të reja. Kryetarët bëjnë lista dhe na i paraqesin në zgjedhje. Jeni apo s’jeni me këto lista? Për ata që janë të rinj, në kohë të ‘Xhaxhit’ kështu bëheshin zgjedhjet, jo Partia e Punës, por një organizatë që quhej Fronti Demokratik paraqiste një listë me kandidatë dhe t’i votoje pro ose kundër kësaj liste.

Kjo do të thotë që ne nuk zgjedhim përfaqësuesit tanë, për rrjedhojë ne nuk kemi përfaqësues në Parlament, atje kanë përfaqësues kryetarët e partive.
Ne nuk kemi as të drejtë referendumi. Asnjë referendum nuk është bërë me iniciativë të qytetarëve. I vetmi që fitoi të drejtën ishte ai për ndalimin e importit të mbetjeve, edhe atë nuk e la të bëhej Rama se e hoqi importin e mbetjeve me VKM dhe pastaj ca vjet me vonë e ktheu serish për miratim në Parlament. A dini demokraci tjetër ku në 30 vjetët e fundit qytetarët nuk kanë bërë dot asnjë referendum?

Unë them që këtu lindin problemet tona. Ne nuk duhet ta shohim akoma veten vetëm si shqiptarë, ky është koncept i nja dy shekujve më herët. Ne duhet ta shohim veten si qytetarë të Republikës. Nëse nuk mendojmë politikisht, asgjë nuk kemi në vijë.

Hajde dalim në rruge, ta shprehim zemërimin ndaj punës së keqe të kësaj qeverie, edhe ndaj tjetrës që do të vijë. Por edhe duke menduar një Kushtetutë të re që do na kthejë demokracinë. Kjo është më e vështirë se të vërshosh në rrugë, por është zgjidhja e vetme. Ne e kemi provuar herë pas here që të dëgjohemi, por kemi qenë pak. Nëse nuk jemi shumë, demokraci nuk mund të ketë.

Na thonë se drejtësia e reformuar do dënojë politikanët hajdutë, nuk ka drejtësi pa demokraci.
Ndërkohë shihemi në rrugë!

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb