TIRANË-Në një konferencë për shtyp, kreu i PD Lulzim Basha komentoi dhe situatën e krijuar sot ku pasi hoqdhën vezë ndaj kryeministrit Edi Rama, disa studentë u shoqëruan nga policia.

Basha u shpreh se PD rreshtohet me objektivin e studentëve që protestojnë kundër Reformës për Arsimin e Lartë, por Basha mohoi se studentët mund të jenë nxitur nga opozita. Në këtë pikë, Basha dha dhe një mesazh për policinë.

“Informacioni që unë kam është që studentët Anita Lushi, Bora Mema, Klodi Hoxha, Viki Çipi, Liri Kuçi, Durim Jashari, Dardan Konjuca dhe Valton Marku, aktivistë të Lëvizjes Studentore për Universitetet janë arrestuar dhe keqtrajtuar pas një demonstrimi që kanë bërë në dalje të Edi Ramës nga seminari me biznesin e vogël. Së pari dua të them se Partia Demokratike dhe unë, kemi qenë jemi dhe do të jemi deri në fund në krah të studentëve, pedagogëve dhe prindërve kundër ligjit klientelist, korruptiv dhe primitiv për arsimin e lartë në Shqipëri. Së dyti dua të them që këta studentë nuk kanë asnjë lidhje politike me Partianë Demokratike. Ndërkohë që në këto momente që po flasim, pashë ashtu si para 25 vitesh, Ramiz Alia i akuzoi studentët si vegla të kosovarëve, edhe tani, Edi Rama dhe mediat e tij servile po i akuzojnë se, kjo është një lëvizje e frymëzuar nga parti politike në Kosovë. E vërteta sipas informacioneve që ka opozita është krejt tjetër. Kjo është një lëvizje kundër ligjit të klientelist e korruptiv për arsimin e lartë. Në mbështetje të universiteteve dhe këtu objektivat e studentëve dhe objektivat politike të Partisë Demokratike me të vërtetë bashkohen. Por ky është momenti por ti bërë një thirrje autoriteteve të rendit dhe të policisë që kanë qenë në kontakt me studentët, të hapin sytë për çdo abuzim me integritetin e tyre fizik apo psikologjik, me shkeljen e të drejtave të njeriut, do të përgjigjen një për një, nga punonjësi më i thjeshtë i policisë tek oficerët komandues. Hiqni duart nga studentët, bëni takimin sipas ligjit, respektojini të drejtat e tyre ligjore, kushtetuese, të drejtat e njeriut. Partia Demokratike qëndron pa ekuivok në mbështetje të studentëve, në kauzën e tyre të drejtë kundër ligjit klientelist dhe korruptiv për arsimin e lartë”.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: