TIRANE-Volejbolli shqiptar shtoi në muzeun historik të trofeve një tjetër Kupë të veçantë në prag të festave kombëtare. Kupa e Çlirimit zbriti në parket 4 skuadrat më të mira të volejbollit të meshkujve në vendin tonë ku Studenti arriti të fitojë finalen me Tiranën, duke shtuar numrin e sukseseve sezonale. Me rastin e 70-vjetorit të Çlirimit, ky eveniment iu dedikua pikërisht kësaj feste edhe pse gjatë viteve të shkuara është quajtur Kupa e Pavarësisë. Studenti dhe Tirana pasi kaluan respektivisht Teutën dhe Vllazninë në gjysmëfinale, prenë biletën e ndeshjes finale në pallatin e sportit “Asllan Rusi” ku kampionët e Shqipërisë dominuan duke e mbyllur takimin në tre sete, 25-16, 25-20 dhe 25-23. Djemtë e Ylli Tomorrit nuk hasën asnjë vështirësi në setin e parë duke i mbyllur llogaritë për rreth 25 minuta, ndërsa në të dytin bardheblutë kërkuan revanshin duke e nisur lojën me rezultatin parcial 4-0.

Gjithsesi sfida u ekuilibrua dhe Studenti mori kryesimin në mesin e këtij seti duke udhëhequr deri në fund. Seti i tretë rezultoi edhe më spektakolar me Tiranën që kryesoi gjatë pjesës më të madhe, por bardhekuqtë u shkëputën në momentin që rezultati ishte fiksuar në shifrat 21-21, duke shtuar një tjetër sukses në librin e historisë së kësaj skuadre. Trajneri i Studentit, u shpreh i kënaqur me këtë arritje, duke theksuar se skuadra ka arritur të gjejë ritmin, pavarësisht prurjeve të reja në këtë sezon. “Është një sukses që na kënaq sepse ndeshjes Studenti-Tirana janë ato që vërtet i japin tonit volejbollit për meshkuj dhe për ne ishte një provë e mirë përpara ndeshjes së kampionatit, që natyrisht nuk do të jetë njësoj si kjo. Jemi dy ekipet më të mira dhe do të rivalizojmë deri në fund për titullin kampion”, deklaroi trajneri Ylli Tomorri.

(d.d/j.s/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: