TIRANE

Pasi zhvilloi dje një takim me pedagogë e studentë të fakultetit të Gjeologjisë, kryeministri Edi Rama ka shkuar sot në Universitetin Bujqësor të Kamzës.

Sapo studentët nisën të flisnin, duke parashtruar kërkesat e tyre para Ramës, njëra prej tyre tha publikisht se i ishte mbajtur e fshehtë fakti se aty do të shkonte kryeministri. Ajo tha se do të braktiste e para takimin në fjalë.


“Tarifat janë rritur. Unë jam studente e Financë-Kontabilitet dhe paguaj 320 mijë për tarifën. Ndërkohë dy kurset e tjera paguajnë 300-350. Pres përgjigje. Ose nga ju kryeministër, ose nga Rektori. Janë rritur apo jo tarifat? Nuk më pëlqeu fakti që Rektori na gënjeu pasi nuk na tha për këtë takim. Madje nuk na tha asgjë që do të vinit këtu. Ndaj unë jam e para që po braktis mbledhjen (studentët duatrokasin). Rektori po na gënjen dhe po na rrit tarifa”, tha ajo.


Kaq mjaftoi që të reagonte kryeministri Rama, i cili iu drejtua studentes se: “Ku e pret përgjigjen, duke ikur?”.


Pas disa sekondash heshtje i tha studentes se nuk ishin këto rregullat e mirësjelljes si dhe iu drejtua studentëve që duartrokitën duke i thënë se mund të largoheshin nëse do donin.

“Në protestë nuk ndryshojnë rregullat e mirësjelljes, ato janë të shkruara dhe duhet t’i respektojnë.

Edhe ju që duartrokisni s’jeni të detyruar të rrini. Por një gjë ju them, nëse me ndihmon ndonjë prej jush që duartrokisni ta gjeni në histori në ndonjë vend këtë që bëni ju, unë do ju isha shumë mirënjohës.

Megafoni është një mjet që e kam përdorur dhe unë. Megafoni është shumë i nevojshëm kur s’të dëgjon njeri. Por kur atij që ti i bërtet me megafon thotë të dëgjova, ti i thua hajde ulemi dhe thotë nuk ulem, atëherë ka një problem me ty.

Refuzimi për të folur nuk është argument.

Studentët e dhjetorit atëherë u ngritën në mënyrë paqësore sepse reagjimi i atëherëshëm edhe mund të nxirrte tanket në rrugë.

Ju po kërkoni të humbni diçka që e kërkuat vetë.

(ed.me/e.f/BalkanWeb)