TIRANË- Në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar, u zhvillua konferenca prezantuese studimore, “Studim i Integruar mbi Situatën e Sigurisë, zona naftë-mbajtëse Ballsh-Patos-Marinëz”, organizuar nga “Shoqata Vullnetare për Zhvillim dhe Solidaritet”,(SHVZHS).


Pjesëmarrës në këtë konferencë, krahas bordit të profesorëve, të cilët shfaqën platformën e aktivitetit, ishin edhe deputetët mallakastriot Piro Lutaj dhe Kastriot Islami, si dhe Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin Ermonela Felaj; zv/ministri i Energjisë e Industrisë Ilir Bejtja; zv/ministri i Mbrojtjes Petro Koçi; zv/ministri i Shëndetësisë Klodian Rrepaj; funksionarë e ish-funksionarë të lartë, pjesëtarë të institucioneve të ndryshme akademike, përfaqësues organizatash kombëtare e ndërkombëtare dhe të interesuar të ndryshëm, aktiovistë të shoqërisë civile, banorë të zonës, të cilët janë të shqetësuar për gjendjen e zonës Ballsh-Patos-Marinëz.
Fjala e hapjes u mbajt nga kryetari i SHVZHS, Aleksandër Aliaj. Studiuesi Dr. Moikom Zeqo, paraqiti një historik të përmbledhur të zonës Ballsh-Patos-Marinëz. Të pranishmit ndoqën një dokumentar të shkurtër për vendndodhjen dhe problematikën e zonës. Në lidhje më situatën e sigurisë referoi Prof. Dr. Pajtim Ribaj; për impaktin industrial Prof. Dr. Fatmir Shehu; për mjedisin Prof. Asc. Sazan Guri; për shëndetësinë Prof. Dr. Skënder Skënderaj; për impaktin social Prof Asc. Dr. Agim Muçaj.


SHVZHS është një organizatë që mbështetet në një mendësi të fokusuar në nxitjen e projekteve zhvillimore për të gjithë target-grupet dhe zonat e ndjeshme, nxitjen e studimeve, hulumtimeve dhe aktiviteteve të ndryshme kulturore, në shfrytëzim të qëndrueshëm të burimeve natyrore dhe mbrojtjen e mjedisit.
Nisma, që u paraqit në konferencë në funksion të konstatimit dhe përmirësimit të situatës në zonë, lidhet padyshim edhe me sigurinë kombëtare, duke marrë në konsideratë gjendjen e mjedisit, mirëqenien e komunitetit, burimet natyrore dhe shfrytëzimin e tyre në zonat naftë-gaz-mbajtëse.


Kjo konferencë ishte thjesht prezantimi i nismës. Por për shkak të kohës u sollën vetëm disa prej shtyllave kryesore të problematikës, që është shumë më e gjerë dhe shumë më shqetësuese. Kjo gjë prek padyshim komunitetin e zonës edhe më gjerë, duke ndikuar e prekur edhe gamën socio-ekonomike e strategjike të zhvillimit kombëtar. Problematika nuk mbetet më veç zonale, por është shumë më tepër, ajo është kombëtare.

“Ky shqetësim nuk është më veç ai i atyre njerëzve që e vuajnë këtë realitet, por është një faturë që ashtu si sot edhe në të ardhmen, do ta paguajë tërë shoqëria dhe shteti shqiptar. Bazuar në këtë skicë apo draft-ide të këtij projekti të gjerë studimor të SHVZHS, synojmë përmirësimin e situatës në zonë, dhe mund të thuhet se fuqia më e madhe e kësaj shoqate është vetëm iniciativa. Por, natyrisht, kjo iniciativë, edhe pse është një energji shumë pozitive për të ecur para, është e pamjaftueshme për zhvillime të mëtejshme konkrete. Shkalla e përfshirjes në këtë studim që synohet të ndërmerret është shumë e gjerë dhe unike. Falë punës vullnetare të grupeve të ngritura nga ne është mundësuar marrja e konfirmimeve dhe ndërtimi i planeve të punës me botën akademike, institucione e organizata të ndryshme. Kemi bërë bashkë aktorë që mund të realizojnë këtë studim të zgjeruar mbi situatën e rënduar. Puna jonë nuk do të ndalet me këtë konferencë edhe pse vullneti për të vazhduar para qëndron te shkalla e rëndë në të cilën ka degraduar situata. Zhvillimi normal i jetës në zonën e përmendur, do të vijë vetëm nëse trajtohet në mënyrë të qartë problemet e lëna pas dore e të harruara”, tha kryetari i SHVZHS, Aleksandër Aliaj.

(m.k/BalkanWeb)

Etiketa: