Një e katërta e fëmijëve me aftësi të kufizuar rrezikojnë të mbeten jashtë dyerve të sistemit arsimor për shkak të pengesave të shumta që hasin, që nga pamundësia ekonomike, mungesa e infrastrukturës, shkollave speciale apo mësuesve të dedikuar.

Të dhënat i përkasin një studimi të kryer nga organizata ndërkombëtare World Vision dhe vijnë vetëm pak ditë nga nisja e vitit të ri arsimor.

Nisja e vitit të ri arsimor 2018-2019 ditën e hënë duket se do ti gjej shumë nga fëmijët me aftësi të kufizuara jashtë dyerve të institucioneve të dijes.

Nga sa raporton organizata ndërkombëtare World Vision mbi 25% e fëmijëve në Shqipëri që vuajnë nga të paktën një aftësi e kufizuar nuk kanë akses në arsimin e detyrueshëm, dhe kjo për shumë arsye si pamundësia ekonomike, mungesa e infrastrukturës, shkollave speciale apo mësuesve të dedikuar.

Stigma dhe diskriminimi shoqëror për këtë kategori fëmijësh vijon të mbetet një plagë e pashëruar dhe njëherazi një barrierë e përhershme, pavarësisht programeve dhe projekteve shumë milionëshe të harxhuara në 27 vite.

Të dhënat e World Vision u bënë gjatë një aktiviteti sensibilizues të mbajtur në Parkun Rinia, titulluar festivali i rinisë për drejtësi sociale ku ra në sy mungesa e titullarëve të lartë të ministrisë së arsimit, apo ministrisë së shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale.

Ndryshe nga të dhënat që jep organizata ndërkombëtare World Vision se mungesë të mësuesve të specializuar për fëmijët PAK, vetë Ministria e Arsimit pretendon të kundërtën.

Pak kohë më parë kreu i këtij institucioni Lindita Nikolla u shpreh se për vitin e ri mësimor janë rekrutuar 700 mësues ndihmës për nxënës me aftësi të kufizuara në institucionet publike të arsimit parauniversitar.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb