Drejtuesit e institucioneve shkollore edhe pse mund të kenë përvojë të gjatë në drejtimin, shfaqin mangësi të theksuara në një sërë aspektesh menaxhuese. Një studim i hartuar nga ekspertë të huaj dhe vendas për Shkollën e Drejtorëve rezulton se drejtorët nuk ka një orientim strategjik, bëjnë mikro menaxhime dhe nuk inkurajojnë punën në grup.

Studimi i cili u prezantua sot thekson se drejtorët shpenzojnë pjesën më të madhe të kohës në çështjet administrative dhe jo ne ushtrimin e menaxhimit. Drejtorët nuk ndërtojnë marrëdhëniet me grupet e interesit por përqendrohen në aspektet organizative dhe didaktike të shkollës. Drejtorët kanë një mungesë të njohurive ligjore gjë që i pengon ata në përmbushjen e detyrave të tyre. Ky studim do të jetë një bazë e mirë për hartimin e kurikulës së re nga Shkolla e Drejtorëve e cila sipas drejtoreshës ekzekutive Dorjana Matraku pritet që në fund të këtij viti të lëshojë certifikimet e para për aspirantët.

“Ne do te kemi parasysh nevojat që kanë drejtuesit aktualë për të ngritur kurrikulën, jo një kurrikul që të paralelizohet me programet e mëparshme të studimit por kurrikula në bazë të nevojave aktuale qe ne kemi. Me finalizimin e kurrikulës do të hapim aplikimet e drejtuesve aktual dhe atyre që aspirojnë për këtë profesion. Aplikimet do të kenë një afat kohor dhe shpresojmë qe grupi i parë nis në tetor apo nëntor dhe më pas do të ketë një proces certifikimi në bashkëpunim me QSHA dhe më pas do kemi ndihmë nga ASCAP, agjencia e sigurimit të cilësisë dhe supervizim të këtyre drejtuesve për të parë realizmin e këtyre standardeve”, deklaroi drejtoresha e Shkollës së Drejtorëve, Doriana Matraku.

Shkolla e Drejtorëve ka për qëllim zhvillimin profesional të drejtorëve dhe nëndrejtorëve të institucionit arsimor parauniversitar publik ose privat. Kësaj shkolle do i nënshtrohen jo vetëm arsimtarët që kërkojnë të sigurojnë një kontratë pune në vendet e lira të raportuara nga shkollat e arsimit parauniversitar, por edhe të gjithë drejtuesit që po kryejnë aktualisht këtë detyrë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb