Piktor, skulptor e arkitekt, Kolë Idromeno, njihet së gjeri si themeluesi i artit realist shqiptar në kohët kur Shqipëria dilte nga Perandoria Osmane në rrekjen për të prekur perëndimin. Një studim i kritikes Eleni Laperi rrok botën e tij artistike krahas asaj të Marubit, me një analizë të veprave më të njohura, shpesh duke thyer edhe bindjet e kahershme me një këndvështrimi të ri përmes veprave kryesore.

“Ai bën motrën Tone ku nuk është thjesht interesi për të parë se si ishte motra Tone, si ngjante ajo, por ka mendim. Ajo është si një aktore që luan një rol luan rolin e një gruaje katolike të mbuluar të kohës së saj. Vjen pastaj tabloja ‘Dy rrugët’ që megjithëse është një temë, e marrë nga Bibla për të trajtuar Ferrin dhe Parajsën, trajton me realizëm jetën e qytetarëve të Kolë Idromenos.”, tha Eleni Laperi.

Laperi gjen në rrugën e Ferrit vetë Idromenon, por edhe Edit Durhamin. E hapur për kritika apo mendim ndryshe mbi veprën e Idromenos, Laperi sheh te motra Tone, një grua të lirë, hokatare, që i do festat dhe që luan në portretin e njohur.

“Në përgjithësi në libër të gjitha qëndrimet e mia janë të ndryshme nga sa janë bërtë deri tani. Edhe Motra Tone është trajtuar si grua e ndrojtur që nga frika që e ka parë i shoqi ka mbuluar fytyrën, nuk është ashtu. Ajo nuk ka pasur frikë nga i shoqi se ka qenë e martuar me një italian dhe për një italian të pozoje për një piktor nuk ishte mëkat. Ajo ishte bshkë me Kolë Idormenon shumë hokatare, shkonte ne festa dhe këndonte”, thotë Laperi.

Në kapërcyellin e shekullit 19-të dhe dekadat e parë të 20-ës, ai i dha frymë qytetit ndërsa solli vepra si “Dasma shkodrane”, “Dy rrugët”, portreti i “Mati Kodhelit”, etj, ku Idromeno sjell karaktere, skena e minikompozime të jetës së Shkodrës nën penelat e leximeve të tij.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb