Vaksina MPR, që mbron njerëzit që në fillim të jetës nga sëmundjet e fruthit, shytave dhe rubeolës, nuk shkakton zhvillimin e çrregullimeve të spektrit të autizmit (DSA). Ajo që e përsërit këtë përfundim në faqet e revistës “Analet e Mjekësisë së Brendshme”, është një studim i ri i studiuesve të Institutit të Serumeve Statikë në Kopenhagë të Danimarkës. Hulumtimi, siguron konfirmimin e 11-të, se vaksinat nuk e rrisin rrezikun e prekjes nga autizmi, dhe se nuk ka ndonjë lidhje shkak-pasojë midis vaksinimeve dhe këtij çrregullimi.

Vaksina MPR
Për të hetuar lidhjen e mundshme ndërmjet vaksinës MPR (që merret në dy doza:njëra rreth moshës 1-vjeçare të fëmijës, dhe tjetra para fillimit të shkollës), dhe çrregullimeve të spektrit të autizmit, ekipi i sdutiuesve mblodhi të dhëna nga 657.461 fëmijë të lindur në Danimarkë, midis viteve 1999 dhe 2010.

Nga këta, 6.517 ishin diagnostikuar me spektrin e autizmit. Krahasimi i fëmijëve të vaksinuar me MPR, me ata të pa vaksinuar, tregoi se nuk kishte ndonjë dallim në aspektin e rrezikut të zhvillimit të çrregullimeve të spektrit të autizmit.

Përveç kësaj, hulumtuesit vlerësuan rrezikun e autizmit tek nëngrupet e fëmijëve më të “prekshëm”, domethënë që konsiderohet se janë në një rrezik më të madh. Në asnjë nga rastet, në prani të faktorëve të rrezikut, fëmijët e diagnostikuar me DSA, nuk u vu re ndonjë lidhje midis vaksinës dhe autizmit.

I njëjti rezultat, edhe për vaksinat e tjera pediatrike. Ky studim thonë hulumtuesit, është konfirmimi i 20-të i faktit se nuk ka një lidhje shoqëruese, ose shkak-pasojë ndërmjet vaksinës MPR, dhe rrezikut të zhvillimit të autizmit.

Refuzimi i vaksinave
Megjithëse një numër gjithnjë e më i madh studimesh, po përsërit se nuk ka lidhje shkakësore ndërmjet vaksinave dhe autizmit , kjo “lidhje” e paprovuar, është konsideruar prej kohësh një shkak shqetësues. Ajo është vetëm një nga faktorët e çështjes më komplekse, dhe më të gjerë të refuzimit të vaksinave që Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), ka identifikuar midis 10 kërcënimeve më serioze për shëndetin global për vitin 2019.

Në fakt, OBSH shkruan:”Hezitimi ndaj vaksinës, d.m.th refuzimi për t’u vaksinuar pavarësisht nga disponueshmëria e vaksinave, rrezikon të zhbëjë përparimin e bërë në luftën kundër sëmundjeve të parandalueshme nga vaksina”.

Vaksinimi, është një nga mënyrat më pak të kushtueshme për të shmangur sëmundje të caktuara: ai parandalon aktualisht 2-3 milionë vdekje në vit, dhe 1.5 milionë tjera mund të shmangen nëse do të përmirësohet mbulimi global i vaksinimit”.

Rikthimi i sëmundjes së fruthit
Viti 2018, është përcaktuar si viti i rikthimit të fruthit në rajonin evropian (por jo vetëm), megjithë progresin e bërë me vaksinat. Sipas vlerësimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë në 47 prej 53 vendeve të rajonit evropian, janë të regjistruar mbi 82 mijë raste (dhe 72 vdekje) të prekura nga kjo sëmundje, duke krijuar kështu një rekord të ri. Në fakt, kjo shifër është 3 herë më e lartë se në vitin 2017, dhe 15 herë më e lartë se në 2016-ën. Shkaku kryesor i rrikthimit të kësaj sëmundjeje, ështe mungesa e vaksinimit./“Galileonet” – Bota.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb