Dy vendet e Europës Juglindore, Shqipëria dhe Bullgaria janë listuar si shtetet më të palumtura në Kontinentin e Vjetër. Shqipëria me një popullsi që llogaritet në rreth 3 milionë banorë ka marrë pikët më të larta, që në renditje nënkupton vendin e fundit (29). Ky është përfundimi i arritur sipas Indeksit europian të Lumturisë për vitin 2015 (Happiness Equality Index Europe 2015) publikuar dje pasdite.

Në muajin mars, Bullgaria zinte vendin e fundit për nga lumturia në Bashkimin Europian, sipas një sondazhi që fliste për kënaqësinë e jetës. Një total prej 29 vendesh u morën në analizë nga Instituti i Kërkimeve mbi Lumturinë. Franca u rendit e nënta, ndërsa Mbretëria e Bashkuar në vendin e 14.

Hartuesit e raportit e shpjegojnë rënien e nivelit të lumturisë me ndikimin që ka media sociale në jetën e njerëzve, të cilët bombardohen me lajme nga më të ndryshmet e që kanë ndikim tek të gjithë.

Disa muaj më parë, danezët cilësoheshin si populli më i lumtur në Europë, ndërsa tani janë finlandezët.

Sipas të dhënave të fundit të Indeksit, Finlanda, Holanda, Norvegjia, Danimarka dhe Islanda (Europa Veriore) janë vendet më të lumtura, në kontinentin tonë. Ky raport është hartuar nga Instituti për Kërkimet e Lumturisë, një institucion i pavarur i cili studion se përse disa shoqëri janë më të lumtura se të tjerat.

Meik Wiking, CEO i Happiness Research Institute, shpjegon se ata marrin në vlerësim ndryshimin e shpërndarjes së lumturisë brenda një vendi, ndërsa raporte të tjera marrin mesataret e vendeve.

Vendet nordike janë më të socializuar me lajmet e mira. Barazia sociale, ndihma e madhe për nënat, niveli i ulët i krimit, kujdesi i lirë shëndetësor dhe natyrisht niveli i taksave.

Por, lumturia shoqërohet edhe me trishtim, pasi janë këto vende që kanë nivelin më të lartë të rënies në depresion apo të vetëvrasjeve.

Në Finlandë nuk është gjithçka “fushë me lule”. Shkalla e lartë e vetëvrasjeve mbetet një shqetësim i lartë. Norma është 18 persona për 100,000 banorë, krahasuar me Bullgarinë që ka një raport 19/100,000 dhe Suedinë me 11/100,000.

Abuzimet e meshkujve me alkoolin konsiderohet gjithashtu një problem shqetësues, pasi sipas raporteve meshkujt finlandezë kanë jetëgjatësinë më të shkurtër. Një studim i botuar nga “Helsinki Times” dhe që i referohej gjetjeve të “OMESKO” (Komitetit nordik të statistikave shëndetësore) tregonte se rënia e jetëgjatësisë te meshkujt finlandezë vinte si pasojë e sëmundjeve kardiovaskulare vetëvrasjeve dhe vrasjeve. Finlanda është ndër shtetet që llogarit numrin më të madh të armëve me leje në Europë. MONITOR

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: