Në kulmin e krizës ekonomike që ka pllakosur vendin, janë emigrantët shqiptarë që jetojnë në Greqi, ata që kanë shpëtuar nga kolapsi total tregun imobiliar.
Top Channel sqaron se lajmi bëhet publik për qendrën ndërkombëtare të studimeve imobiliare “Pev Research Center”. Sipas studimit të kësaj qendre emigrantët shqiptarë që jetojnë gjatë viteve 2015-2016, vlerësohen si blerësit më të mirë të banesave. Shqiptarët paguaj me para “kesh”, banesa të ndërtuara 20-40 vite më parë, në zonat e qendrës së Athinës dhe qyteteve më të mëdha të vendit. Ekspertët e tregut të banesave deklaruan se familjet shqiptare, të përbëra prej 3 ose 4 persona, me të ardhura mesatare, janë targeti i preferuar i agjencive imobiliare vendase, pasi sipas tyre, kjo kategori interesohet për blerjen e një banese për të strehuar familjet e emigrantëve, të cilët investimin në blerjen e një banese me çmim nga 20 deri në 100.000 euro mund ta përballojnë duke e paguar me para në dorë, pa qenë nevoja për t’ju drejtuar bankave, ku mundësia e kreditimit është pothuaj zero.
Kjo kategori është më shumë e interesuar që të investojë paratë e fituara nga puna në emigracion, për shkak të përfitimeve të ulëta nga interesat bankare, ose pasigurisë së lartë në bankat vendase dhe duke “shpëtuar” edhe prej qirave mujore që vërtiten nga 250 në 400 euro në muaj. Ekspertët thonë se emigrantët shqiptarë kanë preferuar t’i mbajnë paratë e tyre jashtë sistemit bankar gjatë kohës së krizës që arriti deri vendosjen e kontrollit bankar, çka iu dha përparësi në negocimin e çmimit të një banese, duke paguar pothuaj tërësisht vlerën në kesh, e duke shmangur kështu pagesat nëpërmjet bankës. Prej kërkimit të qendrës “PEV”, rezultoi se emigrantët shqiptarë që jetojnë në Greqi, ishin edhe dërguesit kryesorë të remitancave me plot 480 milionë dollarë të dërguara nga Greqia, nga Italia emigrantët shqiptarë janë dërguar 100 milionë, nga SHBA 81 milionë dhe Turqia me 4 milionë.
(BalkanWeb)