KAZAKISTAN – Studiuesit në Kazakistan kanë arritur të zbardhin misterin e fshatit Kalachi, ku banorët binin në gjumë pa ndjenja, për ditë me radhë pa u zgjuar.

Përfundimet e studiuesve i bëri publike zv/presidenti i Kazakistanit, Berdybek Saparbayev, i cili tha se pas analizave të shumta mjekësore, u konfirmua se shkaku i epidemisë së gjumit në Kalachi ishte monoksidi i karbonit që nxjerr miniera e vjetër e uranit, në periferi të fshatit.

Për thuajse tre vjet me radhë, banorët e fshatit kazak, i njohur ndryshe si “Sleepy Hollow”, kanë vuajtur nga epidemia e gjumit, ku njerëzit i zinte gjumi papritur, gjendje që vijonte për ditë me radhë, madje deri në një muaj. Përveç gjumit, banorët e fshatit kishin shpesh haluçinacione.

Autoritetet në Kazakistan bënë të ditur se tashmë që u zbulua misteri, banorët e fshatit do të evakuohen.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb