NGA GERILINA KODHELI*

“Gjithmonë i kam pasur të qarta prioritetet e mia”, thotë Suada Sherifi, teksa i referohet një prej pasioneve të saj, televizionit. Megjithatë, mungesa e kohëve të fundit në ekranin e vogël i dedikohet realizimit të ëndrrës së saj më të madhe, të qenit një notere e licencuar dhe një avokate e mirë. E cilësuar si një nga vajzat më të bukura shqiptare, madje edhe e kurorëzuar në vitin 2005, Suada ka pasur gjithmonë vëmendjen mediatike dhe të shumë fansave.

Por, me modesti dhe çiltërsi, ajo shpjegon në këtë intervistë për “Bluetooth” se nuk e ndjen veten “person publik” dhe as do dëshironte që të ishte më e famshme “duke kompromentuar imazhin, reputacionin dhe karakterin e saj”. Por, përveç sukseseve në jetën profesionale, Suada ndjehet e bekuar edhe në dashuri. Me entuziazëm ajo na rrëfen se është në kulmin e sadisfaksionit, ndërsa ka nisur edhe planet për martesë.

Suada, u bë disa kohë që nuk të shohim në ekrane. Pse je tërhequr?
Në fakt, unë nuk kam qenë kurrë në transmetim 7 ditë të javës. Megjithatë, kam pasur një raport të tillë me ekranin, e kam dashur dhe ekrani më ka dashur mua. Gjithmonë i kam pasur të qarta prioritetet e mia.

Cilat kanë qenë prioritetet?
Ekrani nuk ka qenë asnjëherë prioritet i imi. Pasi përfundova karrierën si sportiste u fokusova tek karriera si juriste, si avokate dhe tashmë si notere.

Kjo është arsyeja që e ke lënë televizionin në plan të dytë?
Nuk ka ndonjë arsye konkrete. Për mua ekrani është një lloj kënaqësie që e shijoj sa herë që mendoj se ia vlen të prononcohem në një televizion ose emision të caktuar. Për këtë arsye thashë që nuk ka qenë prioritet madhor, por ka qenë aty ndër pasionet e dëshirat e mia, që janë me moshën e çdo njeriu. Ekrani më ka dashur sepse kam ditur si të prezantoj veten, kam ditur të them më shumë se dy fjali pa gabuar dhe t’i bëj për të qeshur njerëzit.

Ndaj kam qenë e përshtatshme për ekran, por asnjëherë nuk kam synuar që të bëj një karrierë të mirëfilltë televizive, sepse objektivi im ka qenë tjetërkund, ka qenë në fushën e drejtësisë. Normalisht do kishte qenë shumë herë më e vështirë nëse do isha e hallakatur edhe në ekran. Por nëpërmjet përkushtimit tim unë arrita që të marr një provim shumë të vështirë dhe të dilja në pesëshen më të mirë në të gjithë Shqipërinë.

Tani je një notere e licencuar, por a ju pengon bukuria në profesionin tuaj?
Unë asnjëherë nuk kam parë pengesa përpara meje sepse nëse do shihja si më shohin të tjerët do ta kisha të vështirë të dilja edhe nga shtëpia. Në Shqipëri është ambienti që ushtron një lloj presioni dhe të duhet të konfirmohesh vazhdimisht se kush je, të vë në prova të vazhdueshme. Unë jam e qetë me veten time dhe nuk shoh fare se si më shohin të tjerët. Unë jam profesioniste dhe kush bashkëpunon me mua e kupton se me kë ka të bëjë. Se si më shohin ngelet larg meje.

Ka pasur raste që je ndjerë e paragjykuar?
Kam pasur raste shumë, por kam ditur ta menaxhoj shumë bukur, në varësi të situatave. Megjithatë kam qenë e drejtpërdrejtë dhe kjo më ka ndihmuar që paragjykimi që hasja në fillim të largohej shumë shpejt. E paraprija personin, pasi ai që paragjykon kuptohet.

Si reagon në këto raste?
Me njerëzit që më paragjykojnë bëj autoironi.

Po me ata që të sulmojnë?
Absolutisht i sulmoj, madje e kam bërë. Madje një gazetare ka publikuar një koment timin në një rrjet social dhe pretendonte se unë duhet të isha shembulli i edukatës, por absolutisht, unë jam një njeri që si gjithë të tjerët kam gjak dhe reagoj, aq më tepër përballë padrejtësive. Është normale. Unë nuk e konsideroj veten një person publik në kuptimin e plotë të fjalës. Megjithatë, unë jam një vajzë normale që kam interesat e prioritetet e mia dhe asnjëherë nuk kam humbur kohë duke menduar a më gjykojnë njerëzit, si më shohin, apo si më paragjykojnë. Por, përballë një sulmi të drej4tpërdrejtë, të them të drejtën rolin e strucit nuk e kam qejf.

Si e sheh Suada fenomenin “Xhesika Ndoj”, apo vajzat e tjera që bëjnë gjithçka për vëmendje?
Të lutem mos i përmend. Për mua nuk ekzistojnë. Ato janë flluska sapuni që do shuhen po aq shpejt sa janë ngritur. Nuk kam ndonjë respekt. Çdo njeri e drejton jetën në mënyrën e tij. Unë kam qenë një vajzë që jam shpallur më e bukura e Shqipërisë në 2005-ën dhe kam qenë 17 vjeçe dhe asnjëherë nuk ka ndodhur që për karrierë, për famë apo për diçka të kompromentoj imazhin tim, reputacionin tim dhe karakterin tim. Për këtë arsye nuk jam përshtatur dot me botën e televizionit, pavarësisht se unë kam eksperienca të shkëlqyera për të cilat ndjehem shumë krenare dhe me shumë fat që kam qenë pjesë e tyre. Por gjithmonë kam bërë një përzgjedhje të shkëlqyer të ofertave, të mirëmenduara.

Ke marrë kohët e fundit oferta nga televizionet, qoftë edhe për tu bërë pjesë e spektakleve të kërcimit?
Patjetër, por mua më është dashur të shkëputem nga basketbolli për shkak të një dëmtimi që kam pasur në këmbë. Unë e kam shumë të vështirë të vesh këpucë me taka, apo të kërcej. Unë nuk marr përsipër t’i them po një programi kur nuk kam siguri tek aftësitë e mia fizike. Heq dorë nga një kënaqësi e tillë për të qenë korrekte me bashkëpunuesit e mi.

Suada, tregove më herët se ke disa projekte të reja. Mund të na zbulosh për çfarë bëhet fjalë?
Unë sapo jam pajisur me licencën e noterisë. Jam duke arreduar zyrën time. Kam realizuar një nga ëndrrat e mia më të mëdha dhe besoj e kuptoni se si ndjehem. Jam në kulmin e sadisfaksionit. Më është dashur të punoj shumë fort.

Sa e vështirë është të jesh një femër e suksesshme në Shqipëri?
Është e vështirë, sepse ti përballesh me njerëzit që janë të dëshpëruar, të dështuar dhe të shëmtuar dhe t’i je një njeri që sakrifikon orët e tua të gjumit, të ditës, të natës, të qejfit, për gjërat e tua dhe u përkushtohesh. Por këta njerëz mendojnë pse kjo arriti këtu, apo aty. Nuk e kuptoj pse pyesin, apo pse nuk pyesin veten pse rrinë kot dhe harxhojnë kohën e tyre kot. Kjo më bën përshtypje. Të jesh femër e suksesshme në Shqipëri patjetër që është e vështirë, sepse nuk ta shtron njeri me petale, por gjithsesi është sfidë më vete dhe jeta ndaj është e bukur, sepse është e mbushur me sfida. Asgjë nuk dhurohet, por fitohet e meritohet. Madje të mohohet, por kur je këmbëngulëse për qëllimet e tua…

Si shkon fejesa?
Fejesa shkon shumë mirë. Ne kemi bërë plane edhe për martesë. Nuk kemi caktuar ende një datë fikse, por patjetër që fejesa jonë do të finalizohet. Nuk e di ende se kur. Nuk mund të jap detaje, sepse realisht jemi në fazën e parë të bisedimeve. Nuk e di nëse do të jetë këtë vit, por kemi bërë bisedimet e para për martesën. Ndoshta vitin tjetër.

Si jeni njohur?
Unë isha një vajzë single, kisha kohë që isha vetëm dhe në të gjithë morinë e njerëzve që tentonin nuk kisha asnjë lloj interesi. Mirëpo nuk e di pse, por që në momentin e parë që ai erdhi në jetën time më ka pëlqyer. Ishte ai entuziazmi që mendoja se nuk do ta kisha kurrë, apo buzëqeshja dhe sytë me zemra që kisha humbur shpresat se mund t’i kisha. Çdo gjë filloi natyrshëm sepse kur është dëshira e mirë gjërat janë shumë të thjeshta, shumë të lehta dhe shumë të bukura.

E sheh veten nënë?
Pse jo? Unë jam njeri shumë i organizuar në jetën time, kam pasur dy karriera paralel, kam qenë një studente shumë e mirë dhe gjithmonë kam qenë shumë e organizuar. Mëmësia është një tjetër ëndërr e çdo femre, që dashurinë e saj ta finalizojë me një fëmijë. Por ato janë gjëra që i di Zoti kështu që…

Cili është gjesti më romantik që ka bërë i fejuari për ty?
Ai ka bërë shumë gjeste romantike, por nuk e kupton sepse nuk e quan veten romantik. Të gjitha gjërat që bën, i bën jo sepse ndjehet i detyruar, por sepse i takojnë. Ndaj është shumë e vështirë t’i mbush mendjen që këto janë gjëra romantike. Megjithatë ka bërë shumë gjeste romantike, udhëtime surprizë, apo surpriza të ndryshme, por janë gjëra personale më shumë.

Çfarë të bindi që ishte i duhuri?
Ai është komplet natyra ime, por në të njëjtën kohë edhe shumë i ndryshëm nga unë. Shumë shpejt kuptova se kishim shumë gjëra të përbashkëta, duke nisur që nga të menaxhuarit të jetës. Ai është një djalë i ri, shumë i ri dhe shumë i organizuar për jetën. Kjo më ka pëlqyer tek ai. Ai është i fokusuar tek gjërat e veta, raporti ynë, është shumë familjar… Këto gjëra i transmetoi që në fillim dhe i vlerësova, sepse nuk është e lehtë të gjesh një djalë me këmbë në tokë që në një moshë shumë të re të aspirojë për gjëra të mëdha dhe të bukura, siç janë gjërat që ne po ndërtojmë.

Jeni moshatarë? Thuhet se raportet me moshatarët janë të vështira…
Po jemi moshatarë. Nuk është fare e vështirë sepse ai është jashtëzakonisht shumë i pjekur, intuitiv… Por e thashë, kur është dëshira e mirë gjërat bëhen shumë të thjeshta dhe shumë të bukura.

Si qëndron në formë të mirë fizike?
Të them të drejtën këto kohë nuk po merrem me asnjë sport, sepse nuk më mjafton koha për shkak të impenjimeve të tjera. Megjithatë, jam ngushëlluar me faktin që kam investuar tek trupi 15 vjet dhe të shohim sa do mbajë kështu, vetë. Sidoqoftë përpiqem të ha shëndetshëm, të bëj një jetë të shëndetshme, nuk konsumoj alkool, që për mua është armiku numër një i lëkurës, bukurisë dhe shëndetit. Kjo mendoj se më jep disa bonuse.

Operacionet plastike? Çfarë qëndrimi ke?
Nuk janë fare në planin tim, sepse unë nuk mund ta përfytyroj dot një njeri që e ka një karrierë të caktuar dhe një profil zyrtar që të ketë një imazh që nuk ka lidhje me atë. Unë e kam shijuar bukurinë, por edhe ajo ka afatet e saj. Nuk e ndjej të nevojshme e nuk kam asnjë kompleks inferioriteti. Unë me këtë fytyrë kam fituar “Miss Albania”, tani çfarë problemi ka?

(m.k/Bluetooth/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: