Drejtuesi i Strukturës së Posaçme Antikorrupsion, Altin Dumani ka folur këtë të enjte për sfidat e institucionit që ai drejton. Gjatë forumit rajonal të mirëqeverisjes dhe luftës kundër korrupsionit, Dumani tha se krahas elementëve të krimit të organizuar, subjekte të SPAK janë zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë si ish-kryeministra, ministra, deputetë, gjyqtarë e drejtues të Policisë së Shtetit.
“Po të shikosh lariminë e subjekteve që ne kemi arritur të ngremë akuza apo i kemi në hetim tregon se ne shikojmë zyrtarë të nivelit të lartë, në rang ish-kryeministri, ish zv.kryeministri, ministra, deputetë, gjyqtarë, punonjës policie, kryetare bashkie, ish kryetarë bashkie. Këto duhen parë si një indicie si një shenjë se SPAK po matarohet dhe është në gjendje për të patur një vendim fajësia. Sa i takon krimit të organizuar kemi patur rezultate të prekshme, duke proceduar penalisht personazhe që deri dje as nuk mendoheshin të prekeshin”, tha Dumani.
“Për të qenë të suksesshëm në luftën e korrupsionit duhet që të kemi disa mjete apo disa instrumente në dorën tonë. Shumica e vendeve të Ballkanit Perëndimor e bëjnë këtë dhe të njëjtin janë në të njëjtin trend duke krijuar fillimisht struktura të posaçme antikorrupsion, prokurori speciale, pavarësisht si janë organizuar dhe si funksionojnë. Struktura të tilla eksiztojnë në Maqedoninë e Veriut, Kosovë, Malin e Zi dhe shtete të tjera”, vijoi Dumani.
Kreu i SPAK u shpreh se nuk ka mbetur jashtë vëmendjes as goditja e pasurisë së vënë nga krimi, falë edhe legjislacionit të mirë në dispozicion.
““Sa i takon krimit të organizuar kemi pasur rezultate të prekshme duke proceduar penalisht persona që më herët re konsideroheshin të paprekshëm. Kemi arritur të sekuestrojmë e konfiskojmë se produkte të veprës penale apo pasuri me origjinë kriminale, vlera që shkojnë deri në 150 milionë euro dhe diversiteti i pasurive apo aseteve të sekuestruara dhe konfiskuara është shumë i larmishëm”, theksoi ai.
Ai nënvizoi se lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar nuk është sfidë institucionale vetëm e SPAK-ut, por kërkon angazhim të veçantë të të gjitha institucioneve dhe shoqërisë civile në veçanti. “Shoqëria civile është një partner i rëndësishëm përballë presioneve të mundshme nga pushtetet e tjera”, tha ai.
Gjatë fjalës së tij, Dumani theksoi se ne kemi nevojë për një legjislacion të mirë, krahas institucioneve, por edhe pavarësia e pandikueshmëria në ushtrimin e funksionit.
“Krahas strukturave të posaçme në kemi nevojë për një legjislacion të mirë. Ne në Shqipëri kemi garancitë kushtetuese dhe ligjore që kjo strukturë e posaçme të ushtrojë mënyrë të pavarur, pa ndikuar funksionet e saj. Faktor i rëndësishëm është edhe infrastruktura e përshtatshme. Investimi në teknologji me mjete dhe teknika të përshtatshme hetimi. Ne si SPAK jemi përpjekur që të investojmë pikërisht në këtë drejtimi dhe falë këtij investimi rezultatet janë të prekshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimin e organizuar”, tha ai.
SPAK mund të quhet strukturë e konsoliduar, tha Dumani, duke shtuar se “Prokuroria e Posaçme aktualisht ka 20 prokurorë, sa është edhe organika e miratuar, 60 hetues, 12 hetues financiar, kemi sektorin e ekspertizës, kemi edhe stafin administrativ”. “Kemi edhe bërthamën kombëtare e përgjimeve që ka rolin e saj. Bashkëpunimi ndërkombëtar është një tjetër faktor i rëndësishëm. Ky bashkëpunim është jetik“, vuri në dukje Dumani.
Ai përsëriti se pavarësia institucionale është kushti themelor për suksesin e SPAK dhe se ajo duhet të forcohet vazhdimisht.
“Dua të sjell në vëmendje garancitë kushtetuese dhe ligjore që e garantojnë këtë pavarësi, por edhe puna dhe që kemi ndërtuar në këto vite me qëllim që mjedisi ku prokurorët punojnë, të jetë ia asaj natyre, të ushtrojnë funksionet e tyre të qetë, pa ndikuar nga pushtetet e tjera, të pandikuar nga krimi i organizuar dhe qëllimi i tyre i vetëm të jetë ndjekja e fakteve dhe provave, me qëllim organizimin e një akuze të suksesshme në përfundim të hetimit. Ajo duhet të mbrohet e forcohet në mënyrë të vazhdueshme”, deklaroi ndër të tjera, kreu i SPAK, Altin Dumani.
(BalkanWeb)