Agjencia e OKB-së për Refugjatë (UNHCR) ka bërë të ditur se si pasojë e përmbytjeve të papara që kanë goditur rëndë qarkun Maban të Sudanit të Jugut, janë prekur rreth 200 mijë njerëz, përfshirë refugjatët dhe popullatën pritëse, transmeton Anadolu Agency (AA).

“E vendosur në shtetin e Nilit të Epërm, zona e prekur është shtëpi e mbi 150 mijë refugjatëve nga Sudani fqinj”, njofton UNHCR-ja.

“Refugjatët dhe vendasit në Sudanin e Jugut lëshuan shtëpitë e tyre duke bartur gjërat e tyre dhe së bashku u tubuan në ishujt e vegjël të tokës së thatë”, tha Adan Ilmi, përfaqësuesi i UNHCR-së në Sudanin e Jugut.

Ilmi theksoi se ujërat kanë krijuar përmbytje të mëdha duke e bërë të vështirë për anëtarët e organizatës humanitare hyrjen në kampet e refugjatëve ndërsa shkollat në rajon po ashtu mbeten të mbyllura.

“UNHCR dhe partnerët e saj, së bashku me qeverinë, tashmë kanë filluar vlerësimet në kampet e refugjatëve në Maban dhe në komunitetet përreth. Ndër nevojat kryesore të identifikuara deri më tani janë strehimi urgjent, ushqimi, uji dhe kanalizimet. Refugjatët dhe komunitetet lokale kanë nevojë urgjente për ndihmë kombëtare pasi përballen me një nga përmbytjet më të këqija brenda dekadave të fundit”, dekaroi Ilmi.

Sipas raportit, Sudani i Jugut ka pritur afërsisht 300 mijë refugjatë, shumica e tyre nga provincat Nili i Kaltër dhe Kordofan. Ndërkohë, rreth 1.5 milionë njerëz janë shpërngulur brenda vendit.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb