TIRANE- Qeveria e Suedisë, do të ndihmojë Institutin e Statistikave të Shqipërisë përmes, Agjencisë Kombëtare Suedeze të Statistikave me një program asistence me vlerë rreth 26 milionë Korona Suedeze ose 2.8 milionë euro. Ky program do të mundësojë përmirësimin e treguesve statistikorë ekzistues si dhe hartimin e treguesve të rinj në përputhje me standardet statistikore të Bashkimit Europian.

Në fokus të kësaj marrëveshje do të jenë statistikat në ndihmë të biznesit, ku përmes ruajtjes strikte të konfidencialitetit të të dhënave të biznesit, do të prodhohen indikatorë të rinj në ndihmë të bizneseve shqiptare. Gjithashtu në fokus do të jetë edhe rritja e transparencës, akses online i bazave të të dhënave statistikore në nivel të detajuar për përdoruesit.

Për herë të parë në INSTAT do të krijohet një qendër trajnimi e cila do të shërbejë si shkollë jo vetëm për trajnimin e stafit të INSTAT dhe agjencive të tjera statistikore, por dhe një mundësi për t’u kualifikuar në fushën e statistikave të të gjithë aktorëve të tjerë, si studentë, stafe pedagogjike e më gjerë.

Marrëveshja trevjeçare vë një theks të veçantë te transparenca e statistikave publike dhe trajtimit të statistikave si shërbim publik si dhe do të krijojë një platformë pune për të rritur sasinë e të dhënave statistikore në nivel mikro që do të vihen në dispozicion të kërkuesve shkencorë.

Marrëveshja u nënshkrua nga Drejtori i Përgjithshëm i INSTAT Gjergji Filipi dhe nga Shefja e Bashkëpunimit dhe Zhvillimit dhe Konsulle e Ambasadës Suedeze në Tiranë Lisa Fredriksson.

Me ndihmën e saj INSTAT do të përmbushë disa detyrime europiane në prodhimin e treguesve të rinj si dhe do të përmirësojë ndjeshëm treguesit aktualë në lidhje me kërkesat që vijnë në kuadër të integrimit në Bashkimin Europian.

Statistikat Zyrtare janë “gjuha” me të cilën Komisioni Europian mat progresin e një vendi në proceset integruese. Kësisoj, Statistikat Zyrtare marrin një rol vendimtar si njësi matëse e këtij procesi integrimi.

Në fushën e statistikave ekonomike do të prodhohen për herë të parë tregues të rinj si Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit, Indeksi i Çmimeve të Shërbimeve apo Indeksi i Çmimeve të Importit bazuar në metodologjinë dhe standardet e Bashkimit Europian.

Në fokus të kësaj marrëveshje do të jetë dhe informatizimi i mbledhjes dhe përpunimit të të dhënave në terren për anketa të ndryshme që INSTAT kryen çdo vit, me teknologjitë e reja të përdorura në vendet më të zhvilluara, e cila do të reduktojë kohën e përpunimit të informacionit duke i ofruar publikut produkte statistikore në kohë më të shpejtë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb