Suedia planifikon të rrisë shpenzimet e saj të mbrojtjes me 300 miliardë korona suedeze (29.8 miliardë dollarë amerikanë) deri në vitin 2035, duke synuar të rrisë shpenzimet e mbrojtjes në 3.5 për qind të prodhimit të saj të brendshëm bruto (PBB) deri në vitin 2030, njoftoi qeveria të mërkurën.
Kryeministri Ulf Kristersson e prezantoi planin në një konferencë shtypi, duke e quajtur atë “riarmatimin më të madh që nga Lufta e Ftohtë” dhe duke theksuar se investimet do të financohen me kredi.
Qeveria tha se masa pasqyron një përpjekje më të gjerë për të forcuar aftësitë mbrojtëse të Suedisë dhe Evropës. Mbështetja financiare e këtij viti për Ukrainën do të rritet ndjeshëm, krahas financimit të zgjeruar për pajisjet e mbrojtjes, reagimin ndaj kërcënimeve hibride dhe Rojet Bregdetare.
Kristersson tha se objektivi prej 3.5 përqind është një pikë referimi e arsyeshme, në përputhje me synimin e pritshëm të NATO-s për shpenzimet e mbrojtjes në të ardhmen prej 3 deri në 4 përqind të PBB-së.
Sipas të dhënave paraprake të NATO-s, Suedia shpenzoi 2.14 për qind të PBB-së së saj për mbrojtjen vitin e kaluar. Vlerësimet më të fundit sugjerojnë se shpenzimet e mbrojtjes janë rritur në 2.4 për qind në 2025. (1 krona suedeze = 0.099 dollarë amerikanë).
(A.A/BalkanWeb)