Qeveria e Suedisë njoftoi se do të rrisë në mënyrë drastike grantet për emigrantët që zgjedhin të largohen nga vendi dhe të kthehen në shtëpi, për të inkurajuar më shumë emigrantë ta bëjnë këtë.

Që nga viti 2026, emigrantët që kthehen vullnetarisht në vendet e tyre do të kenë të drejtë të marrin deri në 350,000 korona suedeze (34,000 dollarë), tha në një konferencë shtypi qeveria e krahut të djathtë, e cila mbështetet nga Demokratët Suedezë kundër imigracionit.

“Ne jemi në mes të një ndryshimi në politikën tonë të migracionit,” u tha gazetarëve Ministri i Migracionit Johan Forssell.

Aktualisht emigrantët në moshë të rritur mund të marrin deri në 10,000 korona, 5,000 korona fëmijët, dhe shkon deri në 40,000 korona për familje.

“Granti ka ekzistuar që nga viti 1984, por është relativisht i panjohur, është i vogël dhe relativisht pak njerëz e përdorin atë,” u tha gazetarëve Ludvig Aspling nga Demokratët Suedez.

Aspling shtoi se nëse më shumë njerëz do të ishin në dijeni të grantit dhe madhësia e tij do të rritej, më shumë ka të ngjarë ta pranonin ofertën.

Njoftimi erdhi pavarësisht nga një hetim i caktuar nga qeveria muajin e kaluar që këshillonte kundër një rritje të konsiderueshme në shumën e grantit, duke thënë se efektiviteti i pritshëm nuk justifikonte kostot e mundshme.

Kryeministri konservator Ulf Kristersson premtoi të kundërshtojë imigracionin dhe krimin pasi erdhi në pushtet në vitin 2022 me një qeveri të koalicionit të pakicës të mbështetur nga demokratët suedezë – e cila u shfaq si partia e dytë më e madhe e Suedisë me 20.5 përqind në zgjedhjet e përgjithshme.

Suedia ka pranuar një numër të madh emigrantësh që nga vitet 1990, kryesisht nga vende të përfshira në konflikt si ish-Jugosllavia, Siria, Afganistani, Somalia, Irani dhe Iraku.

Por vendi nordik ka luftuar për vite me radhë për të integruar emigrantët.

 

(A.A/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb