Në emisionin “Kjo Javë” në News24, Lala tregoi se më 5 janar 2021, një ngarkesë me mbi 400 kg kokainë u bllokua në portin e Roterdamit, duke shkaktuar një krizë të rëndë mes trafikantëve.

Ergys Dashi, një nga bashkëpunëtorët e Çelës në këtë episod, ishte një figurë e njohur për lidhjet e tij në Ekuador dhe aftësinë për të siguruar sasi të mëdha droge, por kishte mungesë njerëzish të besuar për të realizuar transportin e sigurt në portet e Evropës.

Sipas Lalës, Dashi, Çela dhe Ervin Mata kishin një takim të fshehtë në tregun agro-ushqimor të Elbasanit, ku u dakordësuan për ngarkesën.

“Dashi garantonte se mund të dërgonte deri në 1000 kg kokainë nga Ekuadori, ndërsa Çela dhe Mata siguronin logjistikën për shpërndarjen në Evropë,” tha ajo.

Në këtë rrjet të mirëorganizuar ishte i përfshirë edhe Gjino Roka, vëllai i një drejtoreshe të lartë shtetërore, i cili do luante një rol kritik si përgjegjës për transfertat e parave të drogës.

Lala theksoi se Ergys Dashi, i cili pretendonte se kishte humbur mbi 4 milionë euro, u vra më vonë në një sulm të përgjakshëm në një lokal në Ekuador, duke lënë pas një histori të errët të bashkëpunimeve kriminale.

“Një episod tjetër i 5 janarit 2021 përfshin një ngarkesë që pritej të vinte në janar 2021. U bllokuan mbi 400 kg drogë në portin e Roterdamit. Suel Çela në këtë moment bashkëpunon me Ergys Dashin, i cili është ekzekutuar më pas në Ekuador pas bllokimit të kësaj sasie. Flitet për një takim mes Ergys Dashit, Ervin Matës, i shpallur në kërkim ndërkombëtar. Ata takohen në tregun agro-ushqimor të Elbasanit dhe bihet dakord për ngarkesën me drogë. Këtu nis dhe komunikimi mes palëve. Ergys Dashi sipas hetuesve nuk niste më pak se 300 kg kokainë. Ai përflitej si një figurë me shumë lidhje ne Ekuador, por nuk kishte njerëz të besuar për nxjerrjen e drogës në portet e Evropës, ndaj kërkon aleancën me Suel Çelën. Sasia niset, por sekuestrohet dhe ndodh si në rastin me Bujar Shegën dhe kërkohet zbardhja e rastit.
Detaj interesant është se Gjino Roka, vëllai i drejtoreshës së agjencisë së zhvillimit të territorit, është një person kyç në këtë rast. Ai është personi që do bënte gjithë transfertat e parave. Kemi vëllanë e një zyrtareje të lartë që ka në dorë lejet e ndërtimit për transfertat e parave të drogës. Çela po bashkëpunonte me Dashin dhe Matën për nxjerrjen e drogës. Në këtë moment Dashi i garanton se mund të niste nga 500 deri në 1000 kilogramë kokainë nga Ekuadori. Në gjithë këto episode, Suel Çela ja ka dalë mbanë të trafikojë vetëm 50 kilogramë kokainë, në rastet e tjera ka dështuar. Dashi i thotë se i janë kapur shumë drogë dhe se ka humbur mbi 4 milionë euro. Ergys Dashi u vra në një lokal të njohur në Ekuador, në një masakër të tmerrshme”, zbuloi ajo.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb