Deputeti Dashnor Sula, i ftuar në rubrikën “Opinion” në News24 foli në lidhje me ngjarjet e sotme në Kuvend dhe tensionin me Gardën e cila nuk lejoi deputetët e PD të futeshin në sallën ku zhvillohej seanca plenare.
Sula u shpreh se djegia e xhaketës sot në oborrin e Kuvendit, erdhi si pasojë e irritimit me gjithçka që po ndodhte. Ai tha se gjithë kjo që po bën opozita bëhet për qytetarët.
Ndërsa gazetari Agim Baçi tha se mosbindjen civile nuk e bën partia, por qytetarët.
“Kam parë më parë vuvuzela, përmbysje karrigeje, më gjeni një deputet që është dënuar më shumë se 10 ditë dhe nuk lejohej të hynte në Kuvend, flas për opozitën e atëhershme. Kishte edhe tek ne koka të nxehta në mbledhje të grupit, por Berisha thoshte opozita është në hall, Duhet t’i lejohet hapësirë të shprehet. Këta duan të marrin para edhe nga karriget”, tha ai.
Deputeti demokrat tha se këta i trajtojnë deputetët si fundërrina. “Ku është parë kjo situatë kur gardisti shkon dhe prek deputeten, sikundër ndodhi sot me Elda Hotin? Unë dogja xhaketën time sot, mos u habisni që nesër të më çojnë në SPAK pse dogja xhaketën time”, tha Sula.
Ai tha se ne nuk po bëjmë kryengritje se ato bëhen me kallashnikov, ne po bëjmë protesta dhe kudo në protesta ka molotov.
“Në Parlamentin Europian do të marrim gjithë pamjet filmike dhe do i çojmë atje dhe të shikohet sjellja e tyre”, tha Sula.
Ndërsa gazetari Agim Baçi tha se zjarri që PS i ka vënë Kushtetutës së vendit është shumë më i madh se djegia e karrigeve, apo molotovët te selia e socialistëve. “Zjarri që PS i ka vendosur Kushtetutës nuk po shuhet, përkundrazi është ndezur më shumë, ndërsa ky zjarri i karrigeve është shuar”, tha Baçi.
Gazetari tha se por modeli që ka zgjedhur opozita nuk është i duhuri pasi është e vështirë të bindësh qytetarët që ne jemi modeli më i mirë për t’i bindur shqiptarët që të votojnë në zgjedhjet e ardhshme.
“Nuk po i bëjmë për Berishën reagimet, situata u kthye në normalitet. Por PS rrëzoi Gjykatën Kushtetuese, çoi në burg edhe Salianjin, se nuk bëheshin këto për Berishën”, tha Sula.