Urimeve të shumta për 55-vjetorin e ditëlindjes së Sulejman Demollarit i është shtuar edhe ai i Presidentit të Republikës, Ilir Meta. Në llogarinë e tij në “facebook”, kreu i shtetit ka postuar edhe një kolazh me foto nga karriera e atij që konsiderohet si një nga lojtarët më të mirë të historisë së futbollit shqiptar, duke e shoqëruar me komentin:


Untitled
Untitled

“Edhe 100 pranvera të reja për legjendën e Kombëtareve tona të futbollit, Sulejman Demollari, sot në ditëlindjen e tij. Pata fatin ta ndjek këtë gjeni të futbollit tonë, që nga shkëlqimi i tij me Kombëtaren e të rinjve, me Shpresën që skualifikoi Gjermaninë dhe ekipe të tjera të mëdha, si dhe në të gjitha ndeshjet e Kombëtares sonë që fitonte ndaj Belgjikës dhe ekipeve të njohura të kohës. Simbol i dy Dinamove, të Tiranës dhe Bukureshtit, Sula mbetet modeli i adhuruar i gjithë sportdashësve për talentin e pakufishëm, për vizionin dhe imagjinatën e tij që bënte diferencën, për shpirtin e ekipit që frymëzonte nga minuta e parë në të fundit dhe korrektësinë shembullore. Në këtë 55-vjetor urimet më të mira edhe për familjen e tij, që e mbështeti aq shumë dhe gjithë fansat e tij”, shkruan presidenti Ilir Meta.
(balkanweb)