Zëvendës-Sekretari amerikan i Shtetit, John Sullivan i cili po qëndron për vizitë në Shkup, theksoi mbështetjen e fuqishme për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe në BE. Ai tha se SHBA-të nuk befasohen me përpjekjet ruse për minimin e synimeve të Maqedonisë drejt NATO-s. “Qeveria ruse mund të ndërmarrë çfarëdo lloj aktivitetesh për ineteresat e saj që të minojë procesin”, tha zoti Sullivan.


Vizita e tij në Shup shikohet si vazhdimësi e mbështetjes amerikane për synimet e vendit të vogël ballkanik drejt integrimeve Euro-atlantike. Mbështetjen e ri-konfirmoi edhe vetë zoti Sullivan.


Por, Maqedonia së pari duhet ta miratojë ato që dalin si kushte nga Marrëveshja e Prespës me Greqinë fqinje.


“Shtetet e Bashkuara e mbështesin fuqimisht zbatimin e plotë të Marrëveshjers së Prespës, e cila do t’i lejojë Maqedonisë ta zë vendin e duhur në NATO dhe në Bashkimin Evropian si Republika e Maqedonisë së Veriut, duke i kontribuar qëndrueshmërisë rajonale, sigurisë dhe mirëqenies”, tha zoti Sullivan. “Ne jemi zotuar për sigurinë dhe qëndrueshmërinë e Evropës Juglindore dhe Maqedonia është pjesa kyçe e kësaj qëndrueshmërie”, shtoi zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit.

Zoti Sullivan tha se me krenari qëndron këtu në emër të Shteteve të Bashkuara në mbështetje të asaj që qeveria e Maqedonisë dhe populli i Maqedonisë e dëshiron, e që është anëtarësimi në NATO dhe në BE. Ai tha se Shtetet e Bashkuara japin mbështetje por nuk e shtyjnë me forcë përpara Maqedoninë dhe se “këto janë vendime të marra nën drejtimin e guximshëm të kryeministrit”. Zoti Sullivan tha më tej se nuk është sekret qëndrimi rus kundër anëtarësimit në NATO të Maqedonisë.

“Qeveria ruse mund të ndërmarrë çfarëdo lloj aktivitetesh për inetersat e saj që të minojë atë çka populli i Maqedonisë dhe qeveria e Maqedonisë kanë vendosur se është në interesin më të mirë të këtij vendi”, tha zyrtari amerikan. Ai ritheksoi qëndrimin amerikan për t’i qëndruar pranë Maqedonisë, ndërsa tha se “qeveria ruse do të përdorë mjete të ndryshme për ta minuar procesin, siç ka vepruar në pjesë të tjera të Evropës por dhe në zgjedhjet amerikane të vitit 2016”.

“Ne do t’u ndihmojmë të tjerëve të cilët i japin mbështetje kësaj qeverie duke konfrontuar ndikimin keqdashës rus në Maqedoni dhe gjetiu në rajon, në Evropë apo kudoqoftë që ka për qëllim minimin e proceseve legjitime demokratike të qeverive që kanë marrë vendime në interes të qytetarëve të tyre, siç ka bërë Maqedonia këtu”, tha Zëvendës-Sekretari amerikan i Shtetit, për të shtuar se “Amerika do të qëndrojë pranë atyre qeverive për të kundërshtuar këtë ndikim keqdashës”.

Kryeministri maqedonas Zoran Zaev shprehu mirënjohje për mbështetjen dhe angazhimin amerikan. Ai e quajti nevojën e suksesit të përfundimit të procesit të zbatimit të Marrëveshjes së Prespës si një biletë për në NATO. Kryeministri Zaev përfshirjen në proces të të gjithëve e cilësoi si garanci më serioze për suksesin e procesit të ndryshimeve kushtetuese që do t’i hapnin rrugën vendit të tij drejt integrimeve. Ai shpreson se jo vetëm tetë deputetët e grupit të ri nga VMRO-DPMNE-ja por edhe ligjvënës të tjerë do t’i votojnë ndryshimet e pritshme.

Zëvendës-Sekretari John Sullivan në Shkup u prit edhe nga krerët më të lartë shtetërorë, Presidenti Gjrogje Ivanov, dhe kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi. /VOA/

Etiketa: