Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, e përshkroi sulmin me raketa ruse  në Sumy , në verilindje të Ukrainës, si një akt “të tmerrshëm”.

“Unë mendoj se e gjithë lufta është një gjë e tmerrshme. Fillimi i asaj lufte është shpërdorim i pushtetit. Ky vend nuk do të kishte lejuar kurrë që ajo luftë të kishte filluar nëse unë do të isha president. Unë mendoj se është e tmerrshme. Unë u informova se ata kishin bërë gabim. Por unë mendoj se është një gjë e tmerrshme,” u tha Trump gazetarëve.

Gjithshtu edhe liderët e BE e dënuan sulmin dhe kërkuan vendosjen e një armëpushimi sa më shpejt.

Më herët, Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë konsideroi se bombardimi nënvizon nevojën për negociata për t’i dhënë fund luftës, e cila shpërtheu në shkurt të vitit 2022.

“Sulmi raketor në Sumy është një kujtesë e qartë se përse përpjekjet e Presidentit Donald për t’i dhënë fund kësaj lufte të tmerrshme vijnë në një kohë kritike,” tha Brian Hughes, një zëdhënës i presidentit në Këshillin e Sigurisë Kombëtare në SHBA.

Kujtojmë se dje u vranë të paktën 34 persona në Sumy të Ukrainës, si pasojë e sulmeve ruse.  Në mesin e të vrarëve janë dy fëmijë. Të paktën 117 njerëz të tjerë janë plagosur, përfshirë 15 fëmijë.

Ushtria ruse hodhi dy raketa balistike në qendër të qytetit rreth orës 10:15 të mëngjesit, në kohën kur njerëzit ishin mbledhur për të festuar të Dielën e Palmave.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb