Moska ka thënë se një cisternë nafte ruse është dëmtuar nga një sulm ukrainas me dronë gjatë natës së 4 gushtit në Ngushticën e Kërçit, pranë një ure që e lidh Krimenë e aneksuar nga Moska me Rusinë. Agjencia e lajmeve e Rusisë, TASS, e citoi Qendrën e Koordinimit të Shpëtimit Detar (QKSHD) të ketë thënë se është dëmtuar motori i cisternës ruse SIG nga një sulm ukrainas.

Sipas QKSHD, është duke u punuar për ta rimorkiuar anijen, pasi ajo nuk ka mundur të lëvizë vetë pas sulmit. Kanalet ruse në Telegram raportuan fillimisht më 5 gusht se shpërthimet ndodhën në Ngushticën e Kërçit, duke e dëmtuar një cisternë nafte dhe duke e bllokuar përkohësisht trafikun mbi urë. Ukraina nuk ka komentuar ende rreth këtyre lajmeve, të cilat nuk kanë mundur të konfirmohen në mënyrë të pavarur. Cisterna e naftës SIG u sanksionua nga Shtetet e Bashkuara në vitin 2019, për shkak se i kishte furnizuar forcat ruse në Siri me karburant për aeroplanë.

Ky incident ndodhi një ditë pasi një anije e Marinës ruse u dëmtuan rëndë në portin Novorossiisk nga një sulm me dronë, për të cilin përgjegjësinë e mori Shërbimi i Sigurisë i Ukrainës (SHSU), si dhe dy ditë para bisedimeve ndërkombëtare për luftën në Ukrainë, të caktuar për të nisur më 5 gusht në Arabinë Saudite. Në sulmin e 4 gushtit, një dron detar ukrainas, që barte 450 kilogramë eksploziv TNT, e goditi bazën e Marinës ruse në Novorossiisk, duke i shkaktuar dëme të mëdha një anijeje luftarake të Rusisë që ishte ankoruar aty, thanë burime të SHSU për Radion Evropa e Lirë.

Sulmet brenda dhe përreth Detit të Zi janë rritur qëkur Rusia nuk pranoi ta vazhdojë një marrëveshje të ndërmjetësuar nga Turqia dhe Kombet e Bashkuara (OKB) për eksportimin e drithërave ukrainase përmes detit. Në fushëbetejë, forcat ukrainase i kanë vazhduar ofensivat e tyre në pjesët e rajonit jugor të Zaporizhzhya, Berdiansk dhe Melitopol, sipas raportit të Shtabit të Përgjithshëm më 5 gusht, në të cilin thuhet se u zhvilluan 36 beteja në përgjithësi në 24 orët e fundit.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha më 4 gusht se luftime “shumë mizore” po ndodhin në fushëbeteja. Në Arabinë Saudite, Kievi dhe aleatët e saj shpresojnë se do të arrijnë marrëveshje për parime kyçe për mënyrën sesi t’i japin fund luftës ruse në Ukrainë, ka thënë një zyrtar i lartë ukrainas. Këshilltarë të sigurisë kombëtare dhe përfaqësues të tjerë të lartë nga rreth 40 vende të botës, përfshirë Bashkimin Evropian, Britaninë e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara, por jo edhe Rusinë, do të mblidhen në këtë takim.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: