AFGANISTAN 


Të paktën 12 persona janë vrarë, duke përfshirë një ushtar amerikan dhe një tjetër rumun dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur, si pasojë e një sulmi me makinë-bombë në lagjen e ambasadave, ndërtesave qeveritare dhe selisë lokale të NATO-s në Kabul.


Militantët talibanë kanë marrë përgjegjësinë për sulmin e së enjtes. Ky është sulmi i dytë i madh i kryer nga talibanët gjatë kësaj jave në Kabul, teksa përfaqësues të Shteteve të Bashkuara dhe talibanëve është thënë se janë në fazën e fundit të përpjekjeve për të arritur një marrëveshje për paqe, që i jep fund luftës 18-vjeçare në Afganistan.


Një tjetër sulm i talibanëve me makinë-bombë i kryer në një tjetër provincë gjatë ditës, është raportuar të ketë vrarë të paktën katër civilë. Talebanët, që janë duke kërkuar largimin e trupave ndërkombëtare nga Afganistani, kanë pretenduar se të huajt janë në mesin e të vdekurve në sulmin e Kabulit.

Zëdhënësi i talebanëve, Zabihullah Mujahid, ka thënë përmes një postimi në rrjetin social, Tëitter se sulmuesi vetëvrasës ka vrarë “12 pushtues të huaj”. Në raportime është thënë se shënjestra ka qenë afër misionit të NATO-s. Përmes një deklarate, NATO-ja ka thënë se dy anëtarë të misonit të saj, një rumun dhe një amerikan, “janë vrarë gjatë sulmit të sotëm në Kabul”.

Autoritetet rumune kanë konfirmuar se një ushtar rumun është në mesin e të vdekurve dhe një tjetër rumun është në gjendje të rëndë. Presidenti rumun, Klaus Iohannis ka dënuar këtë sulm dhe ka theksuar përkushtimin e shtetit të tij “për të luftuar terrorizmin në nivel ndërkombëtar”. /Rel/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb