Të paktën 28 ​​persona, përfshirë katër fëmijë u plagosën nga sulmet ajrore ruse në qytetin ukrainas Sumy ,njoftoi komuna lokale, ndërsa rusët dhe amerikanët diskutojnë një armëpushim të mundshëm në Riad.

“Objektivi i sulmit me raketa ishte një ” objekt industrial”. Një spital dhe infrastruktura e destinuar për fëmijët u dëmtuan”. tha kryebashkiaku i përkohshëm Artem Kobzar në një postim në Telegram.
“Aktualisht numri i të plagosurve është 28, 24 të rritur dhe katër fëmijë”, shtoi ai.

Delegacionet ruse dhe amerikane janë në Arabinë Saudite për negociata të cilat Kremlini fillimisht i përshkroi si “të vështira” që synojnë një armëpushim të pjesshëm në Ukrainë. Në takimin e tyre të mëparshëm, në mars, Ukraina kishte pranuar propozimin amerikan për një armëpushim 30-ditor, të cilin Rusia e refuzoi.

Megjithëse përpjekjet për t’i dhënë fund luftës po intensifikohen, luftimet vazhdojnë, me goditje vdekjeprurëse si në Ukrainë ashtu edhe në Rusi.
Ministria ruse e Mbrojtjes tha sot se të shtunën dy dronë ukrainas filluan një sulm në stacionin e shpërndarjes së gazit Valuyka në rajonin e Belgorodit, duke shkaktuar dëme materiale.

Ministria nuk sqaroi nëse stacioni vazhdon të funksionojë.

Sipas Moskës, forcat ukrainase u përpoqën dje, të dielën, të sulmonin fushën e gazit natyror Glebovskoye në Krime, por mbrojtja ajrore e zmbrapsi sulmin.

Më herët, ministria pretendoi se Ukraina gjithashtu u përpoq të sulmonte stacionin e pompimit të naftës Kropotkinskaya, në tubacionin CPC, në rajonin e Krasnodarit, me dronë. Stacioni u mbyll për riparime pas një sulmi të mëparshëm.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb