Firmat e telekomunikimit në mbarë botën janë prekur nga një sulm masiv i piratëve të internetit. Janë marrë sasi të mëdha të dhënash. Ekspertët dyshojnë për Kinën në sulmin e fundit.

Sipas një firme amerikano-izraelite të sigurisë, piratët e internetit kanë depërtuar në sistemet e telekomunikimit në më shumë se 30 vende. Në këto sulme janë vjedhur sasi të mëdha të dhënash personale dhe informacione të sipërmarrjeve, bëri të ditur kompania Cybereason të martën. Këtu bëjnë pjesë të dhëna faturimi dhe të dhëna pozicionale të transmetuara nga telefonat celularë dhe fjalëkalimet. Në fushatën e quajtur “Operacioni Soft Cell” piratët e internetit kishin vënë në shënjestër 20 vetë, për të mbledhur informacion specifik rreth tyre, duke përfshirë ushtarakë, disidentë dhe spiunë në lidhje në Kinën, raportoi gazeta amerikane Wall Street Journal.

Cyberseason dyshon për një grup të afërt me qeverinë në Kinë se ka depërtuar vitet e fundit, me sulme të sofistikuara në rrjetet e të paktën dhjetë ofruesve të telekomunikimit në Evropë, Azi, Afrikë dhe Lindjen e Mesme. Kjo bëhet e qartë nga një raport të publikuar të martën në faqen e internetit të firmës. Nuk është bërë e ditur nëse ndër të prekurit bën pjesë ndonjë firmë gjermane dhe nuk ka as konfirmim të pavarur të akuzave.

Nuk përmendet asnjë emër kompanish
“Në këtë shkallë kompleksiteti nuk kemi të bëjmë me një grup kriminal”, tha shefi i Cybereason, Lior Div. Vetëm një qeveri ka aftësi ta organizojë këtë lloj sulmi. Programet e përdorura flasim për një sulm nga Kina.

Emrat e kompanive të prekura nuk përmenden. Qëllimi ishte mbledhja e informacionit rreth individëve në qeveri, në politikë ose në agjencitë e zbatimit të ligjit. Piratët e internetit kishin përgjuar rrjetet e brendshme të TI të kompanive dhe pjesërisht kanë siguruar qasje në çdo emër përdoruesi dhe fjalëkalim. Si rezultat, ata arritën në të dhëna personale, si fatura dhe lista thirrjesh, njoftoi Cybereason në një postim në blog.

Shtetet perëndimore prej vitesh dyshojnë ndaj Kinës se qëndron pas sulmeve kibernetike për qëllime spiunazhi dhe për të marrë informacione të firmave dhe personale. Sipas ekspertëve, firmat e telekomunikimit në Evropën Perëndimore janë gjithnjë e më shumë në shënjestër të piratëve të internetit. Qeveria kineze i ka hedhur poshtë në mënyrë të përsëritur akuzat. /DW/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb