Kryeministri shqiptar Edi Rama mbërriti në Izrael të dielën për të diskutuar mbi mbrojtjen kibernetike të vendit pas një sërë sulmesh nga Irani që sollën dhe ndërprerjen e lidhjeve me Teheranin zyrtar.

Gjatë vizitës së tij në Izrael, Rama planifikon të takohet me kreun e Drejtorisë Kombëtare të Kibernetikës dhe kompanitë kryesore izraelite në këtë fushë, si dhe me kryeministrin Yair Lapid, Presidentin Isaac Herzog, Kryetarin e Knessetit Mickey Levy dhe liderin e opozitës Benjamin Netanyahu.

Sulmi kibernetik iranian ndaj Shqipërisë në fillim të këtij viti kërcënoi të paralizojë shërbimet publike dhe sistemet dixhitale, të hakojë të dhënat shtetërore dhe të mbjellë më tej destabilitet në vend, pasi hakerët publikuan të dhënat personale të anëtarëve të qeverisë shqiptare.

Rama tha në shtator se vendimi i vendit të tij për të ndërprerë marrëdhëniet me Iranin ishte “një përgjigje ekstreme që është e padëshiruar, por totalisht e detyruar, është plotësisht në përpjesëtim me gravitetin dhe rrezikun e sulmit kibernetik që kërcënoi të nxisë kaos dhe pasiguri në vend. ”

Rama gjithashtu kërkon të çojë përpara një samit të kryeministrave ballkanikë në Izrael, për të forcuar lidhjet e tyre me shtetin hebre në fushat e energjisë, bujqësisë, kibernetikës etj.

Biznesmeni izraelito-kazak Alexander Machkevitch, i cili drejton një nga kompanitë më të mëdha në botë të minierave dhe prodhimit të lëndëve të para, Euroasian Resources Group, ishte i përfshirë në koordinimin e vizitës së Ramës në shtetin hebre.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb